Hidhet në Presidencë shorti për anëtarët e rinj të KED

Në Presidencë, është hedhur sot shorti për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili do të funksionojë përgjatë vitit 2022.
Shorti ka përzgjedhur Marsida Xhaferllarin dhe Elsa Toskën si anëtare të KED-it nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërsa anëtari zëvendësues i Kushtetueses në KED është shortuar Altin Binaj.
Nga kandidatët e Gjykatës së Lartë shorti ka përzgjedhur Sokol Binaj si anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas ligjit, Binaj do të jetë edhe kryetari i ri i KED-it.
Ndërkohë që Sandër Simoni është përzgjedhur anëtar zëvendësues nga Gjykata e Lartë.
Nga kandidatët e Prokurorisë së Përgjithshme, Anila Leka është përzgjedhur nga shorti si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ndërsa Thoma Jano është përzgjedhur anëtar zëvendësues në KED nga Prokuroria e Përgjithshme.
Nga kandidatët e Gjykatave të Apelit janë përzgjedhur nga shorti Edlira Petri dhe Enton Dhimitri si anëtarë të përhershëm. Ridvan Hado është përzgjedhur si anëtar zëvendësues.
Nga kandidatët e zyrave të Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit janë përzgjedhur Arta Marku dhe Etien Kapo, ndërsa anëtar zëvendësues është përzgjedhur Genti Xholi.
Nga kandidatët e Gjykatave Administrative është përzgjedhur Klodiana Mema (Veizi) si anëtare e përhershme, ndërsa anëtar zëvendësues është përzgjedhur Erarbër Madhi.
Në fund shorti u miratua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




