Hiqet tarifa aeroportuale prej 10 eurosh për udhëtarët

Komisioni i Ndihmës Shtetërore vendos heqjen e tarifës së shërbimit prej 10 eurosh, për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë. Aktualisht kjo tarifë paguhet nga udhëtari në momentin e blerjes së biletës, te shoqëritë ajrore.
Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Sipas MIE-s, heqja e tarifës aktuale, do të ketë një impakt domethënës në uljen e çmimit të biletave, duke ndikuar pozitivisht tek operatorët për të rritur numrit e destinacioneve të fluturimeve nga aeroporti, në përputhje me objektivat e Strategjisë së Aviacionit Civil.
Vlerësohet se ulja e çmimit të biletave, si pasojë e heqjes së tarifës aktuale, do të rrisë edhe më shumë aksesin në udhëtimet me linjat ajrore.
Parashikimi gjatë 2022-shit është për rreth 4 milionë pasagjerë.
Heqja e kësaj tarife do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e trafikut ajror, numrit të linjave ajrore, destinacioneve të reja dhe numrit të pasagjerëve edhe në infrastrukturat e reja aeroportuale, siç është Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës.
Në këto kushte, Komisioni vlerëson se plani i njoftuar është ndihmë shtetërore.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri gjatë vitit 2021 është 5.688.649, ose 2,1 herë më shumë krahasuar me vitin 2020.
Sipas INSTAT-it, referuar të dhënave mbi hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri, sipas qëllimit të udhëtimit, 2014–2021, rezulton se mesatarisht 98.23% e të huajve vizitojnë Shqipërinë për arsye personale (pushime etj.).
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shpenzimet nga turistët e huaj, në periudhën 2015–2019 kanë një rritje të ndjeshme në vlerë absolute, por edhe në raport me PBB-në, ku në vitin 2019 shpenzimet e turistëve të huaj përbëjnë 15.1%. Ndërkohë, në vitin 2021, ecuria e shpenzimeve është pozitive krahasuar me vitin 2020 (vit i pandemisë së COVID-19), duke u rritur në 12.4%të PBB-së.
Raportohet se gjatë vitit 2021, numri i uljeve dhe i ngritjeve në Aeroportin “Nënë Tereza” ka qenë 26,152 fluturime. Fillimi i vitit 2022 rezulton me një rritje të trafikut, duke tejkaluar numrin e fluturimeve për të njëjtën periudhë të vitit 2019. Gjatë vitit 2022 pritet që rritja e trafikut të fluturimeve të jetë rreth 12%.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




