Humbi përballë Tavos, reagon Petro Gjikuria: Patëm një betejë të madhe, shteti u përfshi në zgjedhje

Politikë | 2 vite më parë

Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social Facebook, Gjikuria e ka cilësuar këtë garë një betejë të madhe, ndërsa shton se rezultati zgjedhor ishte sipas tij produkt i transformimit të listës së zgjedhësve, me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve.

“Patëm një betejë të madhe. Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himarjotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë” shkruan ai.

Në këto zgjedhje, vazhdon Gjikuria, “pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre. Rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin”.

Sipas tij, qëllimi ishte patja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij.

“Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në këtë fushatë elektorale për garën e bukur dhe të ndershme që bëmë. Beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon”.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se kandidati i PS-së, Vangjel Tavo mori 5022 vota, pra 58.62%, ndërsa kandidati  “Bashkë Fitojmë”, Petro Gjikurua siguroi vetëm 3545 vota ose 41.38%.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme