Hungaria pritet të shtyjë votimin për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO

Hungaria pritet të shtyjë sërish votimin për ratifikimin e aplikimit e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO. Mediat hungareze kanë publikuar një letër të zëvendëskryeministrit Zsolt Semjen, i cili kërkoi që seanca parlamentare e planifikuar që të mbahej në 20 mars, të shtyhej për një javë. Si arsye, Semjen përmendi negociatat me degën ekzekutive të Bashkimit Evropian lidhur me shkeljet që pretendohet se Budapesti ka kryer në lidhje me sundimin e ligjit.
Hungaria mbetet i vetmi vend anëtar i NATO-s, që përveç Turqisë, nuk ka miratuar ende aplikimet e dy vendeve nordike për t’iu bashkuar aleancës ushtarake perëndimore.
Turqia ndërkohë planifikon të miratojë aplikimin e Finlandës për anëtarësim në NATO, veçmas nga ai i Suedisë, para zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre presidenciale që mbahen në datën 14 maj. Dy zyrtarë turq thanë për agjencinë e lajmeve Reuters këtë të mërkurë se kishte shumë gjasa që parlament i vendit të tyre të ratifikonte aplikimin për anëtarësim atlantik të Finlandës para se të shpërndahet në mesin e muajit prill.
Gazetare: Elda Pepa
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




