I hiqet imuniteti ish-kancelarit austriak Kurz

Botë | 5 vite më parë

Kuvendi Kombëtar i Austrisë vendosi unanimisht për heqjen e imunitetit të kryetarit të Partisë Popullore (ÖVP) dhe ish-kancelarit Sebastian Kurz, për të cilin kanë nisur hetime për korrupsion.

Ish-kancelarit austriak iu hoq imuniteti në seancën parlamentare me kërkesë të Prokurorisë për Krime Financiare dhe Kundër Korrupsionit.

Me heqjen e imunitetit të Kurz-it, prokuroria do të zgjerojë më tej fushën e hetimit ndaj tij.

Kurz, i cili i ka mohuar akuzat e prokurorisë për korrupsion, ryshfet dhe shpërdorim besimi ndaj tij, ka deklaruar se dëshiron që rasti të zbardhet sa më shpejt.

Më 6 tetor, zyra e prokurorit në Austri nisi një hetim kundër dhjetë personave, përfshirë Kurz-in, me akuza për korrupsion, ryshfet dhe shkelje të besimit.

Pas këtij rasti, një krizë udhëheqjeje u shfaq në qeverinë e koalicionit të Partisë Popullore të qendrës së djathtë dhe Partisë së Gjelbër. Koalicioni u shpëtua nga shpërbërja me dorëheqjen e ish-kancelarit Kurz, ndërsa në vend të tij u emërua ish-ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme