I jepet sot lamtumira e fundit Bujar Nishanit, ditë zie kombëtare

Politikë | 4 vite më parë

I jepet sot lamtumira e fundit ish-presidentit Bujar Nishani i cili ndërroi jetë më 28 maj në një spital në Gjermani, ku ndodhej i shtruar prej një muaji. Ish-presidenti Nishani do të përcillet sot për në banesën e fundit me ceremoni zyrtare. Ceremonia e homazheve do të nisë nga ora 10:00 deri në orën 12:00 në mjediset e institucionit të Presidencës dhe më pas arkëmorti me trupin e ish-presidentit, i shoqëruar nga kortezhi mortor niset drejt varrezave të Sharrës.

Data 2 qershor u shpall ditë zie kombëtare në nder të ish-presidentit Nishani, dhe në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë. Siç u bë me dije në vendimin e qeverisë, shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i shtetit.

Vendimi i qeverisë

SHPALLJEN DITË ZIE KOMBËTARE NË NDERIM TË TË NDJERIT, Z. BUJAR NISHANI, ISH-PRESIDENT, ISH-MINISTËR DHE ISH-DEPUTET

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës të Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, dhe në vijim të pikës 12, të kapitullit VI, të ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.420, datë 8.6.2016, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shpalljen ditë zie kombëtare, ditën e enjte, datë 2.6.2022, në nderim të të ndjerit, z. Bujar Nishani, ish-President i Republikës së Shqipërisë, ish-ministër dhe ish-deputet.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e enjte, datë 2.6.2022, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.

Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për vitin 2022.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

Bujar Nishani ndërroi jetë në një spital në Gjermani. Ai vuante nga një sëmundje autoimune e mëlçisë dhe pasojat që i la COVID-19 përkeqësoi gjendjen e tij.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme