Ibrahimaj: Me “Paqen fiskale” synojmë të nxisim prodhimin vendas dhe të rrisim eksportet

Ekonomi | 10 muaj më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e pranishme në takimin e kryeministrit Edi Rama me komunitetin e biznesit, zhvilloi sot një dialog të hapur mbi paketën e “Paqes fiskale”.

Ajo theksoi se kjo nismë, tashmë e kthyer në ligj, synon të krijojë një marrëdhënie të re besimi mes sipërmarrjes dhe qeverisë, duke e orientuar ekonominë shqiptare drejt prodhimit dhe eksporteve, larg modelit të mbështetur vetëm tek konsumi.

Me paketën e “Paqes fiskale”, ministrja Delina Ibrahimaj theksoi se synimi është të krijohet një model i ri ekonomik ku bizneset të kenë mundësi të mbyllin çështjet e së kaluarës dhe të operojnë në një mjedis më të qetë e më stabil. Qeveria synon të kalojë nga një ekonomi e mbështetur tek konsumi, drejt një ekonomie prodhuese dhe eksportuese, duke i dhënë sipërmarrjes më shumë siguri, parashikueshmëri dhe hapësirë për zhvillim afatgjatë.

Ajo u shpreh se ekonomia shqiptare ka hyrë në një fazë të qartë integrimi europian, ku bizneset duhet të përfitojnë më shumë nga tregu i përbashkët.

 “Nuk jemi në udhëkryq, por jemi në një pikë ku ekonomia e vendit dhe politikat që ka ndjekur qeveria kanë marrë një rrugë të qartë që ka të bëjë me integrimin europian. Është arritja e standardeve europiane në mënyrë që bizneset shqiptare të përfitojnë sa më shumë nga tregu i përbashkët europian,” tha Ibrahimaj.

Ajo nënvizoi se ky proces kërkon një punë të jashtëzakonshme nga qeveria dhe bashkëpunim të ngushtë me sipërmarrjen.

“Janë me qindra ligje që duhen miratuar, të cilat nuk janë thjesht çështje burokratike, por duhen zbatuar dhe implementuar nga secili prej jush. Në mënyrë që edhe ne si qeveri t’i bëjmë ligjet sikurse duhet, kërkohet bashkëpunimi dhe na duhet që biznesi të jetë i lirë të veprojë, të ketë parashikueshmëri dhe na duhet një marrëdhënie besimi mes njëri-tjetrit. Ndaj kjo është arsyeja që prej më shumë se një viti ne flasim për ‘Paqen fiskale’ dhe mbi të gjithë elementët që ka të parashikuar paketa fiskale,” u shpreh ministrja.

Duke iu referuar rezultateve të deritanishme, Ibrahimaj solli në vëmendje shifrat e rritjes ekonomike.

“Është shumë e rëndësishme që në këtë marrëdhënie ju të ndiheni në një ambient ekonomik stabil, të parashikueshëm dhe me rregulla të qarta. Shifrat tregojnë se çfarë është bërë në ekonominë shqiptare dhe falë kësaj pune kemi parë që numri i bizneseve është rritur me më shumë se 25% në 10-vjeçarin e fundit. Numri i të punësuarve është rritur me mbi 300 mijë, kemi parë rritje të eksporteve dhe rënie të papunësisë, si dhe dyfishim të fitimeve të bizneseve,” tha ajo.

Ministrja shpjegoi se paketa e “Paqes fiskale” ka dy komponentë kryesorë. “Elementi i parë është elementi i kontratës që i propozojmë çdo biznesi me qëllim që ju të planifikoni më mirë tatimet që keni për të paguar dhe të nxiteni të deklaroni sa më shumë. Duam që ju të operoni në një siguri juridike dhe të jeni të qetë në vijimin e planeve tuaja të punës. Nëpërmjet kësaj kontrate ne do ju ofrojmë një instrument bashkëpunimi duke e sjellë më pranë administratën tatimore me biznesin,” tha Ibrahimaj.

Komponenti i dytë lidhet me politikat e tatimit progresiv dhe mbështetjen e bizneseve të vogla.

“Që prej 2013 kemi qenë shumë të qartë me objektivin tonë, ku ai që fiton më shumë duhet të paguajë më shumë dhe ai që fiton më pak, duhet të paguajë më pak. Ndaj vendosëm të eliminojmë tatimin e sheshtë prej 10%, duke çliruar një numër të madh biznesesh që të paguajnë më pak. Duke parë situatën ekonomike pas pandemisë, dhe për t’i dhënë një nxitje biznesit, vendosëm që për bizneset e vogla ky tatim të ishte zero. Kjo vendimmarrje lidhet me faktin që bizneset e vogla të bënin parashikimet e tyre pa pasur stresin se do rritej tatimi,” shpjegoi ministrja.

Ibrahimaj theksoi se politikat fiskale kanë qenë të qëndrueshme dhe nuk ka pasur rritje taksash apo tatimesh në vitet e fundit, duke synuar stimulimin e investimeve afatgjata. “Sot, për të krijuar këtë siguri, nëpërmjet ‘Paqes fiskale’ është menduar që bizneset të kenë mundësi të rishikojnë bilancet e tyre me normë tatimi më të ulët. Ne me këtë paketë duam t’i japim mundësi bizneseve që të mbyllin një histori me të kaluarën dhe të ecin më qetë dhe më stabil,” tha ajo.

Në përfundim, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit e orientoi vizionin drejt një modeli të ri ekonomik.

“Ne duam që në modelin ekonomik që po nxisim ta kalojmë nga një ekonomi e cila është e mbështetur tek konsumi, në një ekonomi që mbështetet tek prodhimi dhe eksportet,” përfundoi Ibrahimaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme