Ibrahimaj thirrje bizneseve greke: Investoni në Shqipëri, synoni jo vetëm sektorin energjetik, por edhe inovacionin

Shqipëria dhe Greqia kanë nevojë të forcojnë dhe më shumë lidhet e tyre ekonomike në të ardhmen. Kjo ishte thirrja që ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u bëri sipërmarrjeve greke nga Athina, gjatë “Forumit Ekonomik DELPHI”.
Aktualisht në vendin tonë operojnë rreth 760 biznese greke, por sipas ministres Ibrahimaj, ka ende potencial të pashfrytëzuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
“Greqia dhe Shqipëria kanë një lidhje të fortë ekonomike, por ne duhet ta forcojmë edhe më shumë në të ardhmen. Unë besoj se ka shumë potencial të pashfrytëzuar në këtë marrëdhënie. Kompanitë greke kanë treguar se mund të operojnë në disa nga sektorët kyç të asaj që do të jetë ekonomia e nesërme dhe besoj se në Shqipëri do të gjejnë një treg potencial për të zgjeruar më tej shërbimet dhe operacionet e tyre.
Ndërsa tregtia përtej kufirit mes dy vendeve tona ka vazhduar të rritet vitet e fundit, investimet greke në Shqipëri nuk janë aq të spikatura sa dikur gjatë dy dekadave të para pas rënies së komunizmit. Për të forcuar sërish këtë marrëdhënie në të ardhmen, besoj se është thelbësore të shikohen sektorët strategjikë, ata që do të luajnë rolin më të madh në ekonominë e së nesërmes, dhe të kërkojmë të tërheqim kapital në këto fusha”, tha ministrja.
Ibrahimaj tha se Shqipëria ka një kuadër ligjor miqësor ndaj biznesit dhe normat më të ulëta në rajon, që do të shërbejë si stimul për përthithjen e investimeve të huaja në sektorët si energjia, telekomunikacioni, rrugët dhe autostradat, transporti detar dhe ajror.
“Shqipëria ofron një regjim tatimor shumë konkurrues, me disa nga normat më të ulëta në rajon dhe stimuj shtesë për investime strategjike. Zhvillimi ynë i shpejtë i infrastrukturës, në sektorë si energjia, telekomunikacioni, rrugët dhe autostradat, transporti detar dhe ajror, e ka bërë Shqipërinë një vend tërheqës edhe për investimet e huaja.
Afërsia dhe zhvillimi i shpejtë i infrastrukturës e ka bërë BE-në partnerin më të madh tregtar të Shqipërisë deri tani. Dhe në këtë marrëdhënie Greqia luan një rol shumë të rëndësishëm. Lidhjet tona të përbashkëta nuk janë vetëm ekonomike, por ato forcohen edhe nga pothuajse miliona njerëz që ndajnë një trashëgimi me të dy vendet”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se vitet e fundit, interesi më i madh i kompanive greke për të investuar në Shqipëri është fokusuar në sektorin e energjisë, me investime në prodhimin e paneleve fotovoltaike.
“Në fakt, vitet e fundit, interesi më i madh i kompanive greke për të investuar në Shqipëri është fokusuar në sektorin e energjisë, me investime në prodhimin e paneleve fotovoltaike, si dhe në funksionimin dhe prodhimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
Si pothuajse kudo në Evropë sot, energjia e rinovueshme është një sektor strategjik për planet e ardhshme të rritjes së Shqipërisë. Ne kemi zhvilluar një kuadër të ri ligjor që lehtëson lidhjen me rrjetin e energjisë dhe do të vazhdojmë të shikojmë masa të reja për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit”, tha ajo.
Një tjetër fushë ku Shqipëria po orienton politikat e saj është zhvillimi i një ekonomie të drejtuar nga inovacioni, ku sipas ministres Ibrahimaj “është zhvilluar një kuadër ligjor i dedikuar për zhvillimin e startup-eve inovative, me masa tërheqëse fiskale mbështetëse; është duke hartuar një ligj tjetër për të ashtuquajturit “nomadë dixhitalë” – specialistë të IT-së që punojnë në distancë – të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri për kompanitë e vendosura diku tjetër”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




