Ikën Ahmetaj, Belinda Balluku emërohet zv.kryeministre! Kryenegociatori Mazi zëvendësohet me Majlinda Dhukën

Politikë | 4 vite më parë

Hapja e negociatave me BE më 19 korrik 2022 dhe sfida energjetike që po përballet e gjithë bota ka ndryshuar edhe prioritetet dhe fokusin e qeverisë shqiptare duke sjellë ndryshime në kabinet. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Arben Ahmetaj nuk do të jetë më zv.kryeministër dhe në vend të tij do të emërohet Belinda Balluku, e cila aktualisht është ministrie e Energjetikës dhe Infrastrukturës.

Arben Ahmetaj e mbajti postin për 11 muaj, ndërsa sipas Ramës ky zëvendësim ndodh pasi fokusi i qeverisë nuk do të jetë më rindërtimi që është drejt përfundimit, por sfida energjetike dhe infrastruktura.

Gjithashtu nga posti është larguar edhe kryenegociatori me BE-në, Zef Mazi, i emëruar më 9 maj 2020, i cili është zëvendësuar me Majlinda Dhukën.

Kryeministri Rama ka falënderuar Arben Ahmetajn për kontributin në procesin e Rindërtimit dhe Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave.

“Tani që prioriteti i Rindërtimit ia le vendin prioritetit të Negociatave me BE, ndërron profili i ministrit të Shtetit. Majlinda Dhuka, një profil i lartë teknik në vend të profilit të lartë diplomatik të ambasadorit Mazi, bëhet Kryenegociatore& Ministre Shteti pranë kryeministrit. Energjia si sfida më kolosale e kësaj periudhe dhe infrastruktura si sfidë e pandërprerë kombëtare, janë bërë sot edhe marrëdhënie intensive me qeveri e institucione ndërkombëtare. Koha që roli i zv/kryeministrit të fokusohet në këto fusha. Belinda Balluku bëhet zv/kryeministre. Falenderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin. Falenderoj Zef Mazin për kontributin në arritjen e madhe historike të çeljes së negociatave; dy bashkëpunëtorë të vlefshëm në një rrugë sfidash që vazhdon”, tha Rama

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme