ILD firmos memorandum bashkëpunimi me Këshillin Gjyqësor të Portugalisë për inspektimet gjyqësore

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) dhe Këshilli Gjyqësor i Portugalisë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi në Lisbonë, duke zyrtarizuar bashkëpunimin ndërinstitucional mes dy institucioneve.
Dokumenti u firmos nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, dhe Zëvendëskryetari i Këshillit Gjyqësor të Portugalisë, z. Luís Azevedo Mendes.
Ky memorandum synon krijimin e një kuadri bashkëpunimi reciprok dhe të qëndrueshëm në fushat e inspektimeve gjyqësore, hetimeve disiplinore dhe çështjeve me interes të ndërsjellë, me qëllim forcimin e integritetit dhe etikës profesionale, zhvillimin institucional dhe përmirësimin e kapaciteteve të palëve.
Palët u dakordësuan të bashkëpunojnë përmes shkëmbimit të informacionit dhe dokumentacionit, vizitave studimore dhe shkëmbimeve të stafit, organizimit të aktiviteteve trajnuese dhe takimeve tematike, si dhe zhvillimit të projekteve dhe nismave të përbashkëta.
Gjatë takimit zyrtar në Këshillin Gjyqësor të Portugalisë, z. Metani dhe delegacioni shoqërues u njohën me kompetencat e Këshillit dhe funksionimin e shërbimit të inspektimit të gjyqtarëve. Nga ana e tij, Inspektori i Lartë prezantoi funksionet e ILD-së, si institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe inspektimin institucional të gjykatave dhe zyrave të prokurorisë.
Delegacioni shqiptar vizitoi edhe Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit të Portos, ku u zhvilluan sesione pune mbi monitorimin e performancës së gjykatave, regjimin disiplinor dhe procedurat e sanksioneve. Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte prezantimi i projektit MEENOS, një iniciativë e Këshillit Gjyqësor të Portugalisë që synon thjeshtimin e gjuhës së vendimeve gjyqësore për të rritur qartësinë dhe aksesueshmërinë e tyre, duke forcuar transparencën dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Ky bashkëpunim mes ILD-së dhe Këshillit Gjyqësor të Portugalisë është pjesë e angazhimit të përbashkët në kuadër të Rrjetit Evropian të Shërbimeve të Inspektimit të Drejtësisë (RESIJ), ku të dy institucionet janë anëtare, me fokus në shkëmbimin e praktikave dhe forcimin e standardeve të inspektimit në drejtësi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












