Inaugurohet Muzeu i ri Arkeologjik i Durrësit, Gonxhja: 3200 artefakte, disa deri në 8500 vjet të vjetra
Qyteti i Durrësit ka tashmë një Muze Arkeologjik të restauruar dhe të rilindur, i cili u inaugurua këtë të martë (28 prill), pas ndërhyrjeve të kryera pas dëmeve nga tërmeti i nëntorit 2019.
Gjatë ceremonisë, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, deklaroi se muzeu ruan mbi 3200 artefakte, disa prej të cilave datojnë deri në 8500 vite më parë.
Ai theksoi se përmes teknologjisë digjitale, vizitorët do të kenë mundësi të udhëtojnë pas në kohë për të parë qytetin e Mbretëreshës Teuta dhe botën e gladiatorëve.
“Pas ndërhyrjeve të vitit 2010 trashëguam problematika që lidheshin me aksesueshmërinë dhe përdorimin. Probleme si mungesa e stabilitetit, sigurisë lidhur me artefaktet e ekspozuara. Jemi mbledhur për t’i kthyer Durrësit një muze të ri, të restauruar plotësisht, thuajse të rilindur. Mbi 3200 artefakte, ka artefakte edhe deri në 8500 vjet të vjetra. Këto artefakte rrëfejnë të shkuarën dhe elementët e teknologjisë që mundësojnë udhëtimin në kohë brenda qyteteve të gladiatorëve e Mbretëreshës Teutë. Nuk po inaugurojmë thjeshtë një ndërtesë, por po interpretojmë një hapësirë për të treguar historinë, qytetin rajonin, Shqipërinë. Durrësi është një arkiv i hapur mesdhetarë ku çdo objekt antik është një dëshmi unikale. Muzeu i ri arkeologjik do të jetë një muze që ndihmon shoqërinë të kuptojë të tashmen dhe jo vetëm të rrëfejë të shkuarën”, tha Ministri.
Si pjesë e një prove gjenerale, ky muze do të jetë i hapur për 15 ditë pa pagesë për të mirëpritur vizitorët e parë.
Restaurimi i këtij muzeu u krye edhe falë programit EU4CULTURE që deri më tani ka mbështetur për rilindjen e 23 objekteve të Trashëgimisë Kulturore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




