Inceneratorët/ Berisha: Paratë e vjedhura i fshehin në emra të vdekurish e në azile

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i Partisë Demokratike, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, i është referuar inceneratorëve si “aferë” që po vjedh para të cilat më pas i fsheh me “emra të gjallësh e të vdekurish në azile”.

Gjatë një takimi me kryetarët e degëve në Tiranë, Berisha u shpreh se, sipas tij, ky është vetëm fillimi, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama si të përfshirë në të tjera afera.

“Ne sot kemi një qeveri e cila në mënyrë absolute nga mëngjesi e deri në darkë nuk ka agjendë tjetër veç vjedhjes së qytetarëve. Ju e shihni, çdo ditë dalin milionat e parave të vjedhura të fshehura, diku te një bari në Athinë, diku te varrezat e Shkodrës, tek qytetarë të ndryshëm të gjallë dhe të vdekur që s’kanë asnjë lidhje me paratë që kanë fshehur tek ata. Prisni, është fillimi, se këta të cilët kanë ndërtuar kilometrin e rrugës Ibë-Farkë me 30 mln euro, aty vëllimet e punimeve nuk janë kurrë më shumë se 3-4 mln euro maksimumi, se kanë patur një shembje. Pra, 10-fishi. Kanë vjedhur dhe i kanë depozituar në emra të gjallësh, të vdekurish, pensionistësh në azil”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, Partia Demokratike është i vetmi shpëtim për vendin, duke i bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen.

“Kjo është një betejë për jetë a vdekje e demokracisë shqiptare e cila de facto sot të vetmen gjë që ka, ka atë arritje të 7 korrikut, opozitën e vërtetë në shesh betejë. Të gjitha këto kanë ndodhur para syve të shqiptarëve, të botës. E them këtë para jush me lutjen që ta ndërgjegjësojmë veten dhe qytetarët, se shpëtimi vjen vetëm nga Partia Demokratike, Shoqëria Civile dhe forcat e tjera politike opozitare. Ne jemi ata që duhet të vendosim për të marrë fatin tonë në dorë”, tha Berisha.

Prej disa ditësh LSI ka denoncuar disa kompani se kanë kryer evazion fiskal përmes inceneratorëve, ku pronar të disa kompanive miliona dollarësh rezultonin në pronësi të një çifti pensionistësh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme