India hyn në histori, shteti i parë që çon anije kozmike në polin jugor të Hënës

India ka hyrë në histori si shteti i parë që arriti me sukses në polin jugor të Hënës, ende të paeksploruar.
Anija kozmike “Chandrayaan-3” preku terrenin hënor të mërkurën, pas itinerarit nga Toka që nisi më 14 korrik.
“Chandrayaan-3”, që do të thotë “mjeti hënor” në sanskritisht, u ul në Hënë në orën 6 pasdite pranë polit jugor.
India kishte tentuar një ulje të ngjashme në vitin 2019, ndërsa Rusia u përpoq të ulë anijen e vet fundjavën e shkuar, por nuk ia doli me sukses.
Motorët që u përdorën për anijen kozmike indiane janë më pak të fuqishëm sesa ata që shfrytëzon SHBA-ja, dhe për këtë arsye mjeti u orvat disa kohë rreth orbitës së Tokës përpara se të arrinte shpejtësinë e duhur për të udhëtuar drejt Hënës.
Një nga modulet e anijes, Vikram, iu shkëput platformës javën e kaluar, por ka mundur të kapë imazhe të sipërfaqes hënore nga data 5 gusht.
Misioni i fundit i ka kushtuar Indisë rreth 74.6 milionë dollarë, kosto kjo shumë më e ulët se e vendeve të tjera, që po ashtu dëshmon sa e avancuar është inxhinieria hapësinore e Indisë.
Në vitin 2014, India u bë shteti i parë aziatik që vendosi një satelit në orbitën përreth Marsit, ndërsa vitin e ardhshëm ka planifikuar të nisë astronautët e vet në një mision treditor përqark orbitës së Tokës. /AFP
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




