India kërkon nga rrjetet sociale të heqin postimet mbi mutacionin që qarkullon atje

Qeveria e Indisë ka urdhëruar platformat e mediave sociale që të heqin të gjithë përmbajtjen, ku përmendet “varianti indian” i koronavirusit. Varianti B.1.617, që fillimisht u identifikua në Indi vitin e kaluar, thuhet se është varianti më i përhapur i COVID-19 në shtetet e Azisë Jugore. Ky variant po ashtu është përhapur në Britani dhe në të paktën 43 shtete të tjera dhe termi “varianti indian” përdoret gjerësisht për t’iu referuar mutacionit të koronavirusit, që fillimisht u identifikua në Indi. Ky urdhër i qeverisë, që u dërgua të premten nga Ministria për Informacion dhe Teknologji, vë në pah ndjeshmërinë e qeverisë ndaj akuzave për menaxhimin jo të duhur të valës së re. Në këtë urdhër, ministria tha se kompanitë e mediave sociale duhet “të heqin përmbajtjen” ku i referohen variantit të ri si “varianti indian”.
“Kemi kuptuar se një deklaratë e rreme që po qarkullon në internet, ku thuhet se ‘varianti indian’ i koronavirusit po përhapet në të gjitha vendet. Kjo është plotësisht e pavërtetë”, thuhet në këtë dokument, njofton AFP. Ministria indiane po ashtu ka përsëritur thirrjet për të frenuar “lajmet e rreme dhe keqinformimin” në rrjetet sociale rreth pandemisë. Në urdhrin qeveritar po ashtu thuhet se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e ka lidhur asnjë shtet me variantin B.1.617 të koronavirusit. OBSH-ja javën e kaluar ka thënë se ky variant i virusit është “kërcënim global” teksa po përhapet në mbarë botën. Disa shtete kanë vendosur kufizime për pasagjerët që vijnë nga India, që prej se u shfaq ky variant. Muajin e kaluar, Qeveria indiane kishte urdhëruar Tëitter-in dhe Facebook-un që të hiqnin dhjetëra postime ku kryeministri indian, Narendra Modi kritikohej për menaxhimin e pandemisë.
Që prej fillimit të pandemisë, India ka regjistruar 26.2 milionë raste me koronavirus dhe mbi 295 miojë viktima. Pothuajse gjysma e numrit të përgjithshëm të viktimave janë shënuar vetëm gjatë fundit të muajit mars.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




