Inflacioni rrit të ardhurat e shtetit, të ardhurat fiskale rriten me 13.3% në tremujorin e parë
Në një kohë kur qytetarët po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, sidomos për produktet bazë dhe karburantet, arka e shtetit po njeh një rritje të ndjeshme të të ardhurave. Përmbytjet e fillimvitit dhe ndikimet nga zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë konfliktet në Lindjen e Mesme, kanë sjellë një shtrenjtim të kostos së jetesës në vend. Por ndërsa kjo situatë ka rënduar buxhetet familjare, të dhënat zyrtare tregojnë një tjetër panoramë për financat publike.
“Nëse kjo përkthehet në një situatë negative për konsumatorin, për qeverinë kjo ka siguruar të ardhura të konsiderueshme, kryesisht në formën e tatimeve dhe taksave. Për tremujorin e parë të 2026 janë realizuar nga tatimet dhe taksat një shumë prej 205.1 mld lekë, rreth 24 mld lekë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, tha Prof.dr.as Antoneta Polo, Pedagoge e Ekonomikut në Gjirokastër.
Peshën kryesore në këtë rritje e mban tatimi mbi vlerën e shtuar. Vetëm nga TVSH-ja janë mbledhur 25.2 miliardë lekë, me një rritje prej gati 20% në krahasim me vitin e kaluar. Ekspertët e lidhin këtë rritje drejtpërdrejt me inflacionin, pasi rritja e çmimeve përkthehet automatikisht në më shumë të ardhura nga kjo taksë.
“Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është rreth 19% më e lartë”, theksoi ajo.
Nga ana tjetër, shpenzimet publike për tremujorin e parë të vitit arritën në rreth 156 miliardë lekë, ose 92.9% e planit të parashikuar. Megjithatë, sfida mbetet nëse këto të ardhura të shtuara do të reflektohen në përmirësim konkret të jetës së qytetarëve.
Ekspertët paralajmërojnë se, nëse rritja e çmimeve vijon, fuqia blerëse e familjeve mund të dobësohet edhe më tej, pavarësisht performancës pozitive në mbledhjen e të ardhurave. Në këtë situatë, mbetet për t’u parë nëse ky trend do të jetë i qëndrueshëm, apo thjesht një efekt i përkohshëm i inflacionit në ekonomi.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




