“Inflacioni shqetësim kryesor”, Ministrja Ibrahimaj: Borxhi publik ka arritur mbi 69%, rritja ekonomikë 5.97%

Ekonomi | 4 vite më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj në konferencën e përmuajshme ka deklaruar se rritja ekonomikë në tremujorin e parë ishte 5.97%. Ibrahimaj deklaroi se pritshmëritë janë për 3.24 % rritje për gjithë vitin. Ndërkaq Ibrahimaj ka bërë me dije se niveli i borxhit publik ka arritur në  69.6% ndërsa theksoi se shqetësim kryesor mbetet inflacioni.

“Rritja ekonomike ne tremujorin e parë ishte 5.97%. Ne presim rritje me 3.24% rritje për gjithë vitin. Ka pasur rritje në të gjithë sektorët më e lartë ka qenë tek ndërtimi me mbi 25%, ndjekur më pas nga tregtia. Konsumi i popullatës u rrit me 8.6% dhe përbën peshën kryesore të rritjes ekonomike. Shqipëria me rritje 5.97% më e lartë se mesatarja e BE që kishte rritje 5.6%. Po ashtu rritja është më e larta në rajon. Përshpejtimi i rritjes ekonomike dhe ngadalësimi i huamarrjes së brendshme dhe të huaj ka çuar në rritje të nivelit të borxhit që për tre mujorin e parë ka arritur në 69.6%. Ndagadalësimi i nivelit të borxhit vihet re që në vitin 2021. Shqetësimi kryesor është inflacioni. Në 5 mujorin e parë, inflacioni është 5.2%, kur vetëm në muajin maj arriti në 6.7%

Importet janë rritur në vlerë me mbi 20%, ndërsa janë ulur importet në sasi me 4%. 13 miliardë lekë është vlera e të ardhurave që ka ardhur si pasojë e rritjes së çmimeve. Ekonomia shqiptare për 5 mujorin është rritur paçka rritjes së çmimeve. Kjo rritje ka ardhur e bazuar në qarkullimin e sektorëve, ku përveç ndërtimit që është reduktuar me 1.6%, kemi pasur rritje në të gjithë sektorët e tjerë në total 13.5%: Prodhimi është rritur 8.6%, shërbimet 2.5%, transporti 28.5% dhe tregtia me 50.4%”, tha Ibrahimaj.

Teksa ka përfunduar mbështetja e paketës së parë prej 3 mijë lekësh për familjet në nevojë dhe pensionistët, Ibrahimaj ka bërë me dije se do qeveria do dalë me një paketë për ato biznese që kanë nevojë për mbështetje.

“Ne jemi në procesin e rishikimit të buxhetit dhe të analizës së të gjithë të dhënave sa i përket konsumit apo të ardhurave të disponueshme të familjeve. Në përfundim të procesit të rishikimit të buxhetit, do të dalim me paketën që pritet të vijojë për atë kategori biznesesh që realisht kanë më shumë nevojë për mbështetje”, tha Ibrahimaj.

Ndërsa sa i përket projektligjin për tatimin e profesioneve të lira,Ministrja bëri me dije se janë ende në proces konsultimi publik dhe nuk ka një draft përfundimtar.

“Ligji për tatimin mbi të ardhurat, ne jemi në procesin e konsultimit publik. Ne nuk kemi një draft përfundimtar të pr.ligjit për tatimin e profesioneve të lira”, tha ajo.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme