Inflacioni socialist/ Ibrahimaj: Opozita e rublave! Tabaku: Erdhe nga rruga u bëre ministre! Spiropali: Mos guxoni të lëshoni baltë

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka reaguar pas deklaratës së deputetes demokrate Jorida Tabaku se Shqipëria nuk është prekur nga inflacioni i luftës ruse në Ukrainë, por nga inflacioni socialist. Duke e cilësuar si opozita e vulës, Ibrahimaj u shpreh se këto nuk janë gjë tjetër veçse aludime.
“U desh që të ngrihej opozita e vulës dhe të shpikë terminologji që s’janë parë e dëgjuar askund, të shpikë inflacionin socialist. Kjo s’është parë e dëgjuar. U desh që sot opozita të flasë për ndikimet që inflacionin e Putin të përmendet si inflacion socialist. Në cilin realitet i servirni shqiptarëve? Në cilën botë jetoni? Buxheti është rishikuar një herë 4 herë, një herë tre herë, sipas numrave që keni ju në mendje. Inflacioni i Shqipërisë është ndikuar nga politikat e kësaj qeverie. Kemi bërë 2 rishikime buxheti me qëllim mbrojtjen e shtresave në nevojë. Shifrat tregojnë që ne kemi rritje të konsumit gjatë 6-mujorit të parë dhe do kemi ende edhe në pjesën tjetër të vitit. Kemi patur një sezon turistik që flet vetë. Ju jeni mësuar të bëni shpifje”, tha Ibrahimaj.
Fill pas deklaratës së ministres për atë të cilën e konsideroi si opozitën e rublave, e ka marrë fjalën deputetja Jorida Tabaku e cila ka reaguar me tone të ashpra, duke e cilësuar Ibrahimajn si arrogante dhe të paaftë që erdhi nga rruga në Parlament.
“Nuk ulem në nivelin e mjerushëm politik të ministres. Të të vijë turp. Që ke ardhur nga rruga dhe u bërë ministre. Këta duan zhurmë dhe rrëmujë. Siç e ka pranuar dhe zonja ministre, sot familjet shqiptare kanë 32 % të të ardhurave të tyre krahasuar me vendet e BE. Ministrja e ka mendjen te koncesionet,. Është aq e paaftë sa se kupton se rritja e çmimeve janë në dëm të shqiptarëve. Paaftësi, arrogancë. Ka shumë kolegë që flasin nga mazhoranca e s’na pëlqejnë mendimet por askush s’ka paaftësinë dhe arrogancën tënde”, tha Tabaku.
Por tonet e diskutimeve janë rritur edhe më shumë, pasi deputeti Gazment Bardhi hodhi akuza se shtëpia ku jeton Ministrja Ibrahimaj i përket një oligarku që paguhet me paratë e buxhetit të shtetit.
“Trego e kujt është shpia dhe si e more. Shërbëtore oligarkësh. Pronari i shtëpisë ku fle Ministrja e Financës është një nga oligarkët që paguhet me paratë e buxhetit të shtetit”, tha Bardhi.
Akuza e deputetit ka marrë menjëherë përgjigjen e ministres, e cila për transparencë të publikut e ka njohur Bardhin me rrugën e banesës së saj dhe se shtëpia ku ajo jetonte i përket babait të bashkëshortit të saj.
“Unë jetoj në rrugën Rexhep Jella që prej 2009. Shtëpia është në pronësi të z. Përparim Ibrahimaj, babai i bashkëshortit tim. Spiunët tuaj të më shoqërojnë edhe pas një apo 5 vitesh sepse aty jetoj prej shumë vitesh”, sqaroi Ibrahimaj.
Ishte Ministrja Elisa Spiropali ajo e cila i doli në mbrojtje Ibrahimajt duke theksuar se ministrja ja ardhur në Kuvend falë studimeve dhe punës së mirë dhe të fortë ndër vite, duke paralajmëruar opozitën që të mos guxojnë të përbaltin figurën e Ministres.
“Ndjeshmëritë janë mprehur shumë për terma politike si opozita e vulës. Nuk keni lënë gjë pa thënë në këtë foltore. Dje pamë një skenë të shëmtuar që na turpëroi të gjithëve. Të mos lini një ministre të flas, duke bërtitu, dhe akuza penale. Zonja Tabaku për fat të keq shkoi më larg.
Ministrja e Financave nuk ka ardhur nga rruga. Ka ardhur nga studimet e saj me nderimet më të larta, nga një doktoraturë, ka punuar për vite në institucionin shqiptar, sot është këtu ministre. Mos të guxojë askush të lëshojë baltë dhe akuza si Prokurorë të rëndomtë të asaj kohe që kanë lidhje me përbaltjen”, u shpreh Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




