Instituti serb, letër Asamblesë së NATO: Anëtarësimi i asociuar i Kosovës, precedent i rrezikshëm

Instituti Ndërkombëtar për Sigurinë me qendër në Beograd i ka bërë thirrje përmes një letre Asamblesë Parlamentare të NATO-s që të mos e miratojë statusin e Kosovës si një anëtare e asociuar e organizatës në seancën që pritet të mbahet të premten.
Në këtë letër, sipas shtypit serb, pretendohet se dhënia e statusit për Kosovën do të ishte një vendim i dëmshëm.
“Si një organizatë eksperte që përfaqëson dhe promovon integrimin euroatlantik dhe vlerat e tij për dy dekada, duke përfshirë anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në NATO, Instituti Ndërkombëtar i Sigurisë beson se dhënia e statusit të një anëtari të asociuar për Kosovën do të ishte i dëmshëm si për Asamblenë Parlamentare të NATO-s dhe veçanërisht për proceset e stabilizimit dhe integrimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër, sipas agjencisë së lajmeve Beta.
Aplikimi i Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të jetë në agjendën e takimit që ky institucion do të mbajë nga data 25 deri më 27 maj në Sofje të Bullgarisë.
Kosova humbi së fundi mundësinë për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Anëtarësimi dukej një çështje e kryer deri në momentin kur u shfaq papritur kushti i krijimit më parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




