Integrimi dhe vetoja greke, Rama bisedon me Mitsotakis në Bruksel

Politikë | 3 vite më parë

Të pranishëm në Bruksel në samitin BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Edi Rama dhe homologu grek, Kyriakos Mitsotakis kanë zhvilluar një bisedë me njëri-tjetrin. Gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani ka siguruar foto të të dy liderëve, ndërsa bëhet me dije se integrimi i Shqipërisë në BE dhe kërcënimi i Greqisë për vendosjen e vetos, kanë qenë temat e diskutimit mes tyre.

Qeveria greke ka kërcënuar se nuk do të lejojë çeljen e kapitullit të parë të negociatave me Shqipërinë pa u zgjidhur çështja e Fredi Belerit, i vënë nën akuzë nga SPAK për blerje votash.

Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje sot për heqjen e vetos së Greqisë. Sipas Scholz, çështja e Belerit ka të bëjë me shtetin ligjor dhe të drejtat e pakicave dhe se për Gjermaninë është një çështje bilaterale dhe duhet të zgjidhet brenda kuadrit dypalësh.

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u takuan me homologët e tyre të Bashkimit Evropian, ku temat e diskutimit ishin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sanksionet ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, përballja me pasojat e këtij agresioni dhe ardhmëria evropiane e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë ditën e nesërme (14 dhjetor) pritet të zhvillohet mbledhja e Këshillit Europian, ku tema e zgjerimit të BE-së do të jetë një ndër çështjet e rendit të ditës.

Shqipëria është në pritje të nisjes së bisedimeve për grupkapitujt e parë, ndërsa përfundimet e djeshme të ministrave të Jashtëm të BE-së vlerësuan pozitivisht përparimin e bërë si dhe përfundimin e procesit analitik të legjislacionit të vendit, screening.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme