Integrimi europian, Jorida Tabaku: Qeveria shumë e ngadaltë dhe pa vullnet politik

Politikë | 4 vite më parë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për mungesë vullneti në plotësimin e kushteve për anëtarësimin në BE. Gjatë intervistës për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë”, Tabaku u shpreh se qeveria është shumë e ngadaltë dhe se procesi i screening që po zhvillohet tani, përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE, duhej të ishte ezauruar me kohë.

“Kemi qenë të ngadalshëm dhe progres raporti e thotë shumë qartë se vullneti politik, i nevojshëm për të bërë reformat duhet të tregohet, sepse nuk ekziston. Pikërisht këtu shprehet vullneti politik, shprehet me përafrimin e legjislacionit, me ngritjen e strukturave, por edhe me miratimin e ligjeve si amnistia fiskale apo pasaportat e arta, që nuk janë në një frymë me BE-në”, tha Tabaku mes të tjerave.

Pjesë nga intervista:

Elona Meço: Që kur u vendos nisja e negociatave, nuk flitet shumë për të. Ju keni patur së fundmi, takime me të rinjtë në disa qytete. Të rinjtë duan të ikin nga Shqipëria apo duan të ndërtojnë Europën këtu?

Jorida Tabaku: Jemi në vitin e nëntë të rrugëtimit tonë, kur duhet të ishim në  një dimension tjetër dhe flasim për të njëjtat gjëra. I vendoset faji BE, Këshillit, vendeve anëtare, flitet me një retorikë të përgjithshme dhe nuk flitet për procesin e negociatave. Askush nuk e di çfarë po bën Shqipëria në Komision, çfarë po ndodh me procesin e screening, çfarë po ndodh me grupet negociuese, cila është puna që po bën administrata shqiptare. Për këtë arsye kam nisur një rrugëtim, në të cilin u bashkua dhe drejtuesja e zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian, për të diskutuar me të vërtetë cilat janë kostot dhe përfitimet. Në këtë vit të 9-të të kësaj retorikës së lodhur, ne nuk po dëgjojmë asgjë përsa i përket politikës së zgjerimit. Ndoqa me vëmendje konferencën e kryeministrit me presidenten e Komisionit Europian. Nuk e dëgjova fjalën zgjerim, reforma, nuk dëgjova që të flitet për procesin. Këtë po synojmë ta kompensojmë me rolin e rritur të Kuvendit, të Këshillit të Integrimit, por dhe të Komisionit të Integrimit, me të rinjtë. Ndërkohë, pyetja për largimin e të rinjve është permanente kudo. Mungesa e shpresës së të rinjve, kur ndodh në një qytet si Korça, që ka numrin më të lartë të punëkërkuesve, të bizneseve, në qytetet të tjera, është në një masë akoma më të madhe. E pashë në Berat dhe jam e sigurt që do ta shoh edhe në qytete të tjera. Kur më pyesin, psh siç ndodhi me rastin e Austrisë, që ka shqetësim numrin e lartë të shqiptarëve që largohen, pra kur na pyesin çfarë duhet të bëjmë ne, i kam thënë ju nuk duhet të bëni asgjë, duhet ta bëjmë ne këtu. Jam duke u përpjekur të bind së pari qytetarin, por dhe këdo që kemi interlokutor të qeverisë që procesin e integrimit ta përdorim si një arsye për ta ndryshuar vendin dhe për të bindur të rinjtë që duhet të qëndrojnë këtu. Kjo nuk është një detyrë që i takon opozitës në fakt. Por opozitës i takon të japë shpresë dhe unë dua ta përdorim këtë proces për të dhënë shpresë.

Elona Meço: Duke qenë se parlamenti luan një rol kryesor më mbikëqyrjen e procesit dhe ky rol kontrolli drejtohet nga ju, kur nis Shqipëria konferencën e parë reale ndërqeveritare, atë kur me të vërtetë nisin bisedimet mes palëve? 

Jorida Tabaku: Ndërkohë që flasim, po zhvillohet procesi i screening, i cili do të vazhdojë deri në korrikun e vitit tjetër, një proces që duhet ta kishim ezauruar këto 8 vite të gjata, por ky është kriteri teknik. Pas përfundimit të këtij procesi nisin diskutimet për negociatat e mirëfillta kapitull pas kapitulli dhe me metodologjinë e re që u prezantua.

Elona Meço: Screening do të thotë sesa i përputhshëm është legjislacioni ynë me atë të BE.

Jorida Tabaku: Pra, sa përiqnd e legjislacionit është përafruar për secilën prej fushave.  Fatkeqësisht, vitin e fundit, Komisioni Parlamentar i Integrimit ka përshtatur vetëm 7 ligje. Kjo tregon në vetvete edhe vullnetin politik të qeverisë të materializuar, se për fjalë janë të gjithë.

Elona Meço: Pra po thoni që jemi të ngadalshëm në këtë proces?

Jorida Tabaku: Kemi qenë të ngadalshëm dhe progres raporti e thotë shumë qartë se vullneti politik, i nevojshëm për të bërë reformat duhet të tregohet, sepse nuk ekziston. Pikërisht këtu shprehet vullneti politik, shprehet me përafrimin e legjislacionit, me ngritjen e strukturave, por edhe me miratimin e ligjeve si amnistia fiskale apo pasaportat e arta, që nuk janë në një frymë me BE-në.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme