Ish kryeministri Sali Berisha, nis takimin me demokratët në qarkun e Fierit

‘Për një Parti Demokratike më të bashkuar’. Ish kryeministri Sali Berisha, nis takimin me demokratët në qarkun e Fierit. Ky takim vjen pas takimit të mbajtur në Tiranë, ku Berisha pret që të bind demokratët për të mbledhur 1500 firmat e tyre për të krijuar një referendum që të rrëzojë vendimin e Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
Deputeti i PD në Fier, Luan Baçi, i është bashkuar këtij takimi. Vetë Baçi tha se është këtu për PD, pasi kjo parti është shumë më e madhe se Berisha e Basha, ndërsa tha se pas kësaj lëvizje që po krijon ish lideri historik i PD, partia do të dalë më e fortë dhe e bashkuar. Berisha është pritur sot nga kryetari i degës dhe deputeti i PD, Luan Baçi, teksa e ka shoqëruar nga Tirana deputeti tjetër, Flamur Noka.
Sipas Sali Berishës, Ambasadorja e SHBA në Tiranë i ka thënë Lulzim Bashës se ish-Kryeministri ishte në dijeni të dosjeve mbi të cilat Departamenti i Shtetit mori vendimin e shpalljes së tij “non grata”, por se nuk i besonte ato.
“Ambasadorja tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se ishte çudi që disa persona bënin si të habitur. Por, gjithashtu ambasadore i ke thënë Lulzim Bashës që Berisha e di që ne kemi dosje, por ai nuk i beson ato dosje. Nga e di që kam dosje? Sekretari e ka marrë vendimin nga raportet e qeverisë, nga raportet e organizatave joqeveritare, raporte korrupsioni që s’janë botuar kurrë. Sigurisht që ato janë dosje, por janë dosje të bazuara mbi shpifje dhe vetëm shpifje”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij Sali Berisha, ashtu siç ka akuzuar edhe më herët, beson se mes Bashës dhe Ramës ka pasur një bashkëpunim. Ai thotë se Rama mori peng kreun e opozitës për t’i futur thikë pas shpine PD me dorën e vetëm Bashës.
“Në 30 vite këto janë ditët më të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Jo vetëm për faktin se ne sot kemi një regjim të keq, por për faktin se sot duke marrë peng kreun e opozitës, Edi Rama i futi thikë pas shpine PD me dorën e pengut të tij Lulzim Basha. Sot kemi nis këtë debat me ju, por ky debat ju ftoj të zhvillohet një debat midis njerëzve që u besojnë vlerave, që marrin përgjegjësi. Janë të revoltuar nga akti i pabesë i Lulzim Bashës. Të mos pranojmë asnjë ndarje midis nesh, të Bashës dhe Berishës. Ju jeni njerëzit e vlerave dhe të lirisë. Ata që nuk e duan Sali Berishën ju them vetëm një fjalë, më shumë se gjithë ju Bashën e ka mbështetur vetëm Berisha,“, tha Berisha.
Berisha tha se Basha është treguar i pabesë me vendimin e përjashtimit, ndërsa tha se dëmtimin që i ka bërë ai partisë nuk e ka bërë askush, Për këtë Berisha tha se uron që Basha ta lërë mandatin dhe të largohet përfundimisht nga PD.
“Peng Basha do të jetë mirë të shkojë andej nga erdhi. Nuk ia ka barë kush partisë atë që i bëri ky. Ndoshta ai kishte akumuluar ndaj meje, se unë çdo gjë i thoja, isha zëri juaj te ai. Por nuk e besoja se ishte kaq aparimor dhe i pabesë. Pse SHBA vlerëson pabesinë? Po nuk fitove jep dorëheqjen, por kur të kanë marrë peng nuk të lejojnë që të japësh dorëheqjen. Uroj që të dorëzojë mandatin dhe të shkojë nga erdhi”, tha Berisha.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




