Ish- ministri Gjiknuri, dëshmon në Komisionin Hetimor për Inceneratorët

Politikë | 5 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, po jep dëshminë  e tij në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, në cilësinë  e ish-Ministrit të Energjisë. Ai ka mohuar të ketë njohje me Stela Gugallen, ndërsa shtoi se Mirel Mërtirin e njeh vetëm si fytyrë, ndërsa me Klodian Zoton ka patur 3 takime, por theksoi jo njohje të afërta apo shoqërore.

“Gugalljen nuk e njoh, Mërtirin e njoh si fytyrë, z.Zoto e kam takuar disa herë në cilësojnë e ministrit kur kam vajtur për të vizituar Inceneratorin e Elbasanit, njëherë në zyrë dhe kam punuar me të në Ministrinë e Mbrojtjes. Këto janë njohje që nuk kanë të bëjnë me lidhje shoqërore apo të afërta. Unë kam 20 vite punë në shërbim shtetëror e privat dhe jeta më ka bërë të njoh shumë biznesmenë”, tha Gjknuri. 

Gjiknuri, në cilësinë  e ish-ministrit të Energjisë, ka sqaruar në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, rolin e kësaj ministrie në procedurën e koncesionit të inceneratorëve. Gjiknuri shprehet se Ministria e Energjisë hyri në proces për shkak se iniciativa kishte të bënte edhe me prodhimin e energjisë elektrike, dhe nisur nga kjo dhanë edhe dakordësinë parimisht.

“Ministria e Energjetikës ka hyrë në këtë proces për shkak të një situata incidentale, si rezultat i një produkti që kishte kjo kontratë koncensionare, për shkak të rolit që ka ministria për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Ministria e Energjetikës hyri se për shkak të propozimit që kishte ardhur nga Ministria e Mjedisit, me investitorët në fjalë, që u bënë koncensionarë, ishte parashikuar që një produkt derivat final është edhe rikuperimi dhe çlirimi i energjisë. Në momentin që ka vlerë ekonomike dhe do futet edhe prodhimi i energjisë, u pyet Ministria e Energjetikës. Ministria e Energjetikës ka dhënë këtë përgjigje: Shprehemi dakord, duke sqaruar se përzgjedhja e procedurës së koncesionit është e drejta e autoritetit kontraktor, pas vlerësimit të përmbushjes së kushteve ligjore të kërkuara. Unë si ministri, kur mora dijeni që ka një iniciativë të tillë, dhashë ok në parim, se më pëlqente faktit që Shqipërisë do i shtohej dhe një burim i ri i prodhimit të Energjisë Elektrike”, tha Gjiknuri.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme