Ish-presidenti Tramp dhe djemtë e tij akuzohen se mashtruan duke ekzagjeruar pasurinë

Një gjykatës në Nju-Jork ka bërë ish-presidentin Donald Tramp (o. Trump) përgjegjës për një sërë mashtrimesh financiare ndaj bankave dhe kompanive të sigurimit, duke e ekzagjeruar vlerën e kompanive të tij me mbi 3 miliardë dollarë.
Gjykatësi Artur Engoron (o. Arthur), në mendimin e dhënë për një akuzë të ngritur nga prokurori i përgjithshëm i Nju-Jorkut, tha se ish-presidenti dhe kompanitë e tij i mashtronin bankat dhe të tjerët duke ekzagjeruar vlerën e pasurive në zotërim për të marrë kredi më të mira dhe për të paguar më pak taksa.
Gjykatësi Engoron urdhëroi që si masë ndëshkimore t’i hiqen licensat bizneseve të ish-presidentit, duke ua bërë atyre të pamundur punën në Nju-Jork, ndërkohë që do të vazhdohet të mbahen nën vëzhgim operacionet e Organizatës Tramp.
“Dokumentet tregojnë qartësisht se bizneset e të pandehurve kanë kryer veprimtari mashtruese,” arsyetoi gjykatësi.
Gjyqi për pretendimet kundër ish-presidentit pritet të nisë të hënën.
Akuza për ekzagjerimin e pasurisë së republikanit Tramp u ngrit shtatorin e kaluar dhe sipas kryeprokurores Letisha Xhejms (o. Letitia James), Organizata Tramp ka gënjyer për pasuritë që zotëronte ish-presidenti mes viteve 2011 dhe 2021.
Gjykatësi Engoron ka pranuar mocionin e kryeprokurores që bashkë me ish-presidentin, përgjegjës për mashtrim të mbahen edhe djemtë e tij, të cilët po ashtu akuzohen se kanë mashtruar kreditorët dhe kompanitë e sigurimit për dhjetë vite.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




