Italia, me ndryshime në Zvicër

Në Itali nuk ë bëjnë dramë por kërkojnë reagimin e menjëhershëm të kampionëve të Europës që kanë mundësinë e artë ta bëjnë një gjë të tillë menjëherë pas dy ditësh. Në Zvicër, të kaltërit do të luajnë të dielën një copë të madhe të çështjes së kualifikimit, pasi do të ndeshen me bardhekuqtë gjithashtu favoritë për vendin e parë të grupit eleminator.
Barazimi i papritur me Bullgarinë ka lënë shenja në trupin e skuadrës së Mançinit, por trajneri planifikon menjëherë një revolucion në formacionin titullar, për të kthyer faqe sa më parë. Në Katar do të shkojnë menjëherë të gjitha skuadrat e para të grupeve, ndërsa të dytat duhet të luajnë play off ku Italia ka kujtime të hidhura pasi herën e fundit u eleminua nga Suedia dhe trajneri i kaltër nuk dëshiron të dëgjojë për vendin e dytë.
Mançini kërkon që në muajin mars të mos luajë dy sfida jete por dy miqësore, prandaj të dielën në Basel një tjetër hap fals mund t’i komplikojë shumë pozitat e Italisë. Sipas të gjitha gjasave, në skuadër do të rikthehen titullarë heronjtë e finales, Di Lorenzo dhe Chiellini ndërsa shanse të mëdha ka edhe Locatelli ndërsa Immobile dhe Insigne që nuk shkëlqyen në Fiorenze mund ta nisin sfidën nga stoli.
Alternativat e freskëta në sulm nuk mungojnë, Scamacca, Raspadori, Kean, ndoshta njëri prej tyre mund ta nisë ndeshjen titullar dhe Mançini i ka gati që të tre lojtarët e gjeneratës së re. Ndaj Zvicrës nuk ka vend për gabime.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



