Izolimi në burg i Navalnyt/ Avokatët rusë thirrje Putinit të ndalë ‘persekutimin’ ndaj liderit opozitar

Një grup i avokatëve rusë kanë kërkuar që t’i jepet fund “torturës flagrante” të liderit opozitar, Aleksei Navalny, që po mbahet në izolim në një burg në rajonin rus të Vladimirit.
Ky apel, i publikuar në formën e një letre në një kanal në Telegram më 16 janar, i bashkohet thirrjeve të fundit nga një grup i profesionistëve shëndetësorë rusë, që kërkuan nga Qeveria të mos e “ngacmojë” Navalnyn, i cili me profesion është avokat.
Letra u nënshkrua nga 14 avokatë dhe u publikua në Facebook nga avokati i Shën Petersburgut, Victor Drozdov. Në të bëhej thirrje që edhe avokatët e tjerë t’i bashkohen kësaj letre.
“Sot ne nuk mund dhe nuk kemi të drejtë të shikojmë me qetësi shkeljet e të drejtave kushtetuese dhe denigrimin e dinjitetit njerëzor të kolegut tonë, të privuar nga statusi i avokatit lidhur me rastin penal ndaj tij për shkak të aktivizmit të tij politik në Rusi. Refuzimi i përfaqësuesve të Shërbimit të Burgjeve për t’i dërguar ilaçet e nevojshme kritikut opozitar, krijon një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e tij”, shkruhet në letër.
Navalny dhe avokati i tij, Vadim Kobzev, thanë se për disa ditë kritiku i Kremlinit është përballur me kollë dhe temperaturë. Kobzev tha më 10 janar se rojet e burgut kanë refuzuar që t’i japin ilaçe klientit të tij. Po të njëjtën ditë, një grup i mjekëve rusë i bën thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndalojë “torturimin e Navalnyt” në burg dhe të lejojë mjekët nga institucionet shëndetësore jashtë burgut që ta kontrollojnë dhe transferojnë atë në një spital të rregullt për trajtim, nëse është e nevojshme. Kritiku i Putinit po vuan dënimin prej dy vjetësh burgim për shkeljen e rregullave të lirimit me kusht dhe për keqpërdorim fondesh. Ai gjendet në një burg rreth 260 kilometra në lindje të Moskës. /REL/
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




