Izraeli do të ndalojë hyrjen e 37 grupeve humanitare në Gaza

Botë | 10 muaj më parë

Izraeli ka vendosur të ndalojë hyrjen dhe të pezullojë licencat e 37 organizatave ndërkombëtare të ndihmës humanitare që veprojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, duke deklaruar se ato nuk kanë përmbushur kërkesat e reja të regjistrimit.

Sipas autoriteteve izraelite, pezullimi i licencave do të hyjë në fuqi më 1 janar, ndërsa organizatat e prekura do të kenë afat 60 ditë për të përfunduar operacionet e tyre. Ndër arsyet e përmendura është mosdorëzimi i të dhënave të plota personale të stafit, siç kërkohet nga rregulloret e reja.

Mes organizatave që do të preken nga ky vendim janë OJQ të njohura ndërkombëtare si ActionAid, Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit dhe Këshilli Norvegjez për Refugjatët.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Ministrat e jashtëm të 10 vendeve, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Kanadanë, Japoninë dhe Zvicrën, e kanë kritikuar ashpër këtë veprim, duke i cilësuar rregullat e reja si “kufizuese” dhe “të papranueshme”.

Në një deklaratë të përbashkët, ata paralajmëruan se mbyllja e detyruar e operacioneve të organizatave humanitare do të ketë një ndikim të rëndë në aksesin e popullsisë në shërbime thelbësore, përfshirë kujdesin shëndetësor. Ministrat theksuan gjithashtu se situata humanitare në Gaza mbetet katastrofike dhe i bënë thirrje qeverisë izraelite të sigurojë që OJQ-të ndërkombëtare të mund të veprojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme