Izraeli kërkon “dënim dhe sanksione” të OKB-së ndaj Iranit

Përfaqësuesi i Përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara (OKB), Gilad Erdan, ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që “të dënojë Iranin dhe të vendosë sanksione kundër tij me akuzën se është një shtet që kërcënon sigurinë në ujërat ndërkombëtare”.
Në ankesën e tij zyrtare në KS të OKB -së, ambasadori izraelit fajësoi Iranin për vrasjen e dy anëtarëve të ekuipazhit të anijes “Mercer Street” si rezultat i sulmit në Oqeanin Indian më 29 korrik teksa ishte duke udhëtuar nga Tanzania për në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Ai deklaroi se sulmi në fjalë është “një shembull tjetër i terrorizmit të Iranit në det të hapur”.
“Veprimet e pacipa dhe vrasëse të Iranit përbëjnë një shkelje serioze të Marrëveshjes së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare dhe jo vetëm që kërcënojnë sigurinë ndërkombëtare detare dhe lundruese dhe prishin tregtinë globale, por gjithashtu destabilizojnë më tej rajonin shumë të paqëndrueshëm”, tha Erdan.
Në ankesën e tij, Erdan gjithashtu theksoi se “OKB-ja nuk duhet të qëndrojë pranë shkeljeve të kryera nga organizatat terroriste në çdo cep të rajonit” dhe bëri thirrje që Irani të dënohet pa mëdyshje dhe ata që kanë kryer këtë akt të tmerrshëm të dënohen.
Një anije e kompanisë izraelite u sulmua në Oqeanin Indian
Më 29 korrik, një anije e kompanisë izraelite u sulmua në Oqeanin Indian gjatë rrugës nga Tanzania për në EBA, duke lënë të vrarë një anëtar të ekuipazhit britanik dhe një rumun.
Përveç Mbretërisë së Bashkuar dhe Rumanisë, qytetarët e të cilëve vdiqën në sulm, edhe SHBA-ja dhe Izraeli deklaruan se ata arritën në përfundimin se autori ishte Irani./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




