“Ja ligji… ja dhe Maliqi”, Gogu mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të aktorit Birçe Hasko: Lamtumirë, Mjeshtër

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të aktorit të njohur shqiptar Birçe Hasko, duke ndarë një reflektim të veçantë mbi rolin e tij në filmin kult “Përrallë nga e Kaluara”. Birçe Hasko ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare.
Në një postim në rrjetet sociale, Gogu shkruan se Birçe Hasko ishte “një nga aktorët që dinte t’u jepte personazheve jo vetëm zë, por edhe mendim”.
Ministri ndalet te një nga skenat më të njohura të filmit, duke e lidhur atë me kuptimin e drejtësisë dhe mënyrën si zbatohet ligji.
“Ja ligji… ja dhe Maliqi”, citon Gogu frazën ikonike të personazhit, ndërsa shton se në pak sekonda filmi arrinte të shpjegonte atë që “libra të tërë juridikë përpiqen ta shpjegojnë prej shekujsh: se ligji nuk është vetëm teksti, por edhe mendja e dora që e zbaton”.
Ai veçon edhe ironinë e hollë të aktorit.
“Ky shkop është i drejtë… se ka ca që janë me gunga”, duke e cilësuar humorin e Birçe Haskos si të lidhur fort me urtësinë popullore shqiptare.
Në fund të mesazhit të tij, Ministri i Drejtësisë shkruan se “Birçe na ka lënë disa fjalë të thëna labçe, që përshkruajnë të vërteta të mëdha. Lamtumirë, Mjeshtër!”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




