Jared Kushner publikon pamje të projekteve që synon të realizojë në Shqipëri

Pas publikimit nga Bloomberg dhe New York Times të lajmit se kompania Affinity Partners e dhëndërit të ish presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, do të investojë rreth 1 miliardë dollarë në projekte të zhvillimit të pronave në Ballkan, veçmas dhe në Shqipëri, vetë Kushner ka publikuar në instagram foto të projekteve në fjalë.
Në to përfshihet edhe ndërtimin në ishullin e Sazanit të një resorti luksoz, por edhe një investim kolosal në gadishullin e Zvërnecit. “I emocionuar të ndaj disa pamje fillestare të projekteve për zhvillimin që kemi krijuar për bregdetin shqiptar dhe qendrën e Beogradit”, shprehet Kushner në postimin e tij.
Në një intervistë për Bloomberg, Kushner shprehu admirimin e tij për ishullin e Sazanit, duke e përshkruar bregun e tij si më unikun, por edhe më të pacënuarin në botë. Sipërmarrësi amerikan vizitoi jugun e Shqipërisë bashkë me të shoqen, Ivanka Trump, në gushtin e vitit 2021, ku panë nga afër Kepin e Rodonit, Sazanin, Butrintin etj. Edhe vitin e shkuar çifti kaloi disa ditë pushime në Shqipëri, kryesisht në jug, ndërsa ka vizituar edhe muzeun kombëtar shtëpia me gjethe në Tiranë, moment i cili është dokumentuar me një foto sëbashku me kryeministrin e shqipërisë Edi Rama.
Një tjetër project ambicioz i kompanisë së Kushner është edhe rizhvillimi i tre pallateve të braktisura në kryeqytin Beograd të Serbisë, të cilat kanë mbetur të pabanuara që nga bombardimet e NATO-s në prill të ’99. Ato synohen të kthehen në një hotel luksoz, qendër tregtare dhe në më shumë se 1500 banesa, një investim strategjik ku që kontribuon në rijetësimin e zonave historike dhe në zhvillimin urban të Beogradit.
“Affinity partners”, kompani me seli në Majami asetetet e së cilës kapin vlerën e 3.1 miliardë dollarëve ka tërhequr vëmendjen e investitorëve nga Lindja e Mesme, mes tyre dhe Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite. Ajo u themelua nga Kushner pasi ky i fundit u largua nga administrata amerikane, si këshilltar presidencial.
Gazetare Elda Pepa
/ rtsh.al /
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




