Java ndërkombëtare në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, synohet forcimi i bashkëpunimit akademik
Me synim forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e praktikave më të mira në fushën e ndërkombëtarizimit, Universiteti “Luigj Gurakuqi” ka organizuar “Javën ndërkombëtare” duke sjellë në Shkodër përfaqësuesit e universiteteve partnere nga disa shtete të Evropës.
Në hapje të veprimtarisë, rektori Tonin Gjuraj, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në arsim si një mënyrë për të përballuar sfidat e një sistemi arsimor në ndryshim të vazhdueshëm.
“Bashkëpunimi nuk do të realizohet për një ditë, as vetëm këtë javë, por ne duhet ta vijojmë atë që do të fillojmë sot duke marrë parasysh përvojat dhe modelin europian të bashkëpunimit dhe duke qenë të hapur ndaj trashëgimisë intelektuale dhe akademike europiane”, u shpreh Tonin Gjuraj, Rektori i UNISHK.
Axhenda e kësaj jave përfshinë sesione mbi ndikimin e ndërkombëtarizimit në arsimin e lartë, diskutime mbi sfidat e projekteve ndërkombëtare, si dhe tematika që lidhen me mobilitetin e studentëve dhe stafit.
“Ky ndërkombëtarizim shërben sidomos në funksion të kërkimit shkencor sepse sjell mundësi për perspektiva të ndryshme, por gjithashtu edhe të përmirësimit të cilësisë të mësimdhënies”, tha Brisena Kopliku, Drejtore e Kërkimit Shkencor, UNISHK.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” e ka vendosur ndërkombëtarizimin në qender të strategjisë së tij zhvillimore. Partneritetet e universitetit përfshijnë institucione prestigjioze të arsimit të lartë në vende si Italia, Gjermania, Franca, Spanja, Holanda, Republika Çeke dhe Letonia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



