“Jo në emrin tim” vijojnë protestat në Kosovë/Prishtina ngrihet në këmbë kundër vendimit të Gjykatës Speciale

Kosovë | 33 minuta më parë

Me moton “Jo në emrin tim” mijëra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së enjtes në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në protestën e thirrur kundër dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga gjykata Speciale me seli në Hagë. Mbështetësve iu bashkuan edhe familjarë të ish-komandantëve të UÇK-së.

Faleminderit prej gjithë popullit shqiptar për mbështetjen. Populli është me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. UÇK-ja është e pastër dhe besojmë në pafajësinë e të gjithë çlirimtarëve tanë”, u shpreh Endrit Thaçi, Djali i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sot e dëgjojmë popullin se ç’po thotë”, tha Klestor Veseli, Djali i Kadri Veselit.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi kërkoi që të bëhet gjithçka për të rregulluar sipas tij gabimin e pafalshëm të Gjykatës Speciale në Hagë.

Populli i Kosovës, çlirimtarët e vet i ka shpallur të pafajshëm, sepse e dinë që ata janë më meritorët për lirinë që e gëzojmë. Prandaj, kjo gjykatë ka degraduar skajshëm, është jashtë asaj çka kemi besuar dhe ne do bëjmë çmos për ta përmirësuar gabimin e pafalshëm të cilin ata e kanë bërë dje”.

Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha se duhet platformë të qartë për lirimin e drejtuesve të UÇK-së.

Për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale që dënoi me 81 vite burg ish krerët e UCK-së, sot Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë paqësore gjithë popullore sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ndërkaq agjencia KosovaPress raporton se PDK pas takimeve të së enjtes me krerët e partive te tjera, pritet të dorëzojë sot në Kuvend propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës me seli në Hagë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme