Jonida Maliqi pas interpretimit në Festivalin e Pranverës: U riktheva te i njëjti emocion, por më e pjekur

Kulturë | 3 muaj më parë

Këngëtarja Jonida Maliqi ka folur pas interpretimit të saj në natën e dytë të Festivalit të Pranverës, ku solli në skenë një këngë të njohur të Parashqevi Simaku.

Maliqi u shpreh se është ndier shumë mirë në këtë rikthim të festivalit, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme kulturore pas më shumë se dy dekadash. Ajo falënderoi stafin organizator dhe Radio Televizioni Shqiptar për rikthimin e këtij eventi në skenën artistike shqiptare.

“U ndjeva shumë mirë. Më në fund rikthehet pas 23 vitesh festivali i pranverës. Dua të falënderoj gjithë stafin, RTSH-në që nuk e la të humbte këtë festival. Këndova me shumë dëshirë. E kam kënduar dhe në 2005 dhe iu riktheva të njëjtit emocion, por kësaj radhe më e pjekur. Kjo këngë më çon te deti, te Vlora, te Durrësi, te shoqja. Është një këngë që ke qejf që ta dëgjosh dhe në makinë dhe në radio”, tha Jonida Maliqi.

Këngëtarja vlerësoi gjithashtu atmosferën e festivalit dhe pjesëmarrjen e artistëve të rinj, të cilët i cilësoi si zëra premtues për skenën muzikore shqiptare, ndërsa la të hapur mundësinë për rikthim në edicionet e ardhshme, duke theksuar se për një artist nuk ka kufi moshe, por rëndësi ka dashuria për skenën dhe vlerësimi i publikut.

“Kam ardhur në prova dhe kam parë artistë shumë të mirë. Zëra të rinj, shumë premtues. Mendoj se të gjithë artistët e rinj duhet të bëhen pjesë e këtij festivali sepse është një urë lidhëse me skenat e mëdha. Festivali i Pranverës ka qenë një festival shumë rinor, siç është edhe sot. Ne kemi bërë ture në shumë qytete. Kemi kaluar periudha shumë të bukura mes kolegesh. Po kthehem vitin tjetër, u pa puna. Unë mendoj që artisti nuk ka moshë dhe ajo që është e rëndësishme, është ta duash skenën dhe të dojë publiku”, tha këngëtarja.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme