Kadia në komision: Zgjerim të marrëdhënieve mes dy vendeve, linjë direkte fluturimesh Baku-Tiranë, nxitje investimesh

Politikë | 2 vite më parë

Kandidatin për ambasador i Shqipërisë në Azerbajxhan, Besart Kadia, aktualisht zv/ministër për Europën dhe Punët e Jashtme,  duke  paraqitur projektin e tij para komisionit parlamentar të politikës së jashtme, ka premtuar zgjerimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zoti Kadia kujtoi se marrëdhëniet diplomatike datojnë nga fillimi i viteve ’90. “Vetëm para 1 viti ne festuam 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit. Në këto 3 dekada kemi dëshmuar se marrëdhëniet mes dy vendeve janë ndërtuar mbi themele të forta të respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të frytshëm”, u shpreh Kadia.

Më 15 qershor të këtij viti mes dy vendeve u nënshkruan marrëveshja për liberalizimin e vizave. Zoti Kadia nënvizoi me këtë rast rëndësinë e krijimit të linjave të fluturimeve direkte midis Bakusë dhe Tiranës.

“Kjo do të lehtësonte dhe promovonte më tej turizmin duke synuar zhvillimin e mëtejshëm të mundësive për zhvillimin e marrëdhënieve tregtare. Hap i mëtejshëm janë investimet direkte edhe në fushën e turizmit që do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të dy vendeve. Investitorë nga Azerbajxhani kanë investuar tashmë në turizëm në vendet e rajonit dhe përvoja pozitive në vendet e rajonit shpresoj të shërbejë si model për të tërhequr investimet e ngjashme në Shqipëri”, u shpreh Kadia.

Mes të tjerash kandidati për ambasador nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik në sektorin e energjisë, të cilin e cilësoi si një nga aspektet më të rëndësishme të marrëdhënieve bilaterale.

“Projekti i korridorit jugor të gazit natyror i cili përfshin edhe segmentin TAP është një projekt strategjik që lidh Azerbajxhanin me Italinë përmes disa vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë. Megjithatë deri tani Shqipëria nuk ka pasur përfitime në gaz natyror nga ky projekt pavarësisht se linja e gazit kalon përmes territorit tonë. Objektivi ynë është që Shqipëria të bëhet përfituese e këtij projekti të gazit natyror”, u shpreh Kadia.

Gjatë 3 viteve të fundit kontaktet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit janë intensifikuar ndjeshëm.

“Kjo dëshmon angazhimin e të dyja palëve për të jetësuar një projekt strategjik që pritet të sjellë përfitime të mëdha për qytetin e Korçës ku është bërë studimi paraprak për sa i përket gazifikimit të qytetit”, shtoi kandidati për ambasador i Shqipërisë në Azerbajxhan, Besart Kadia.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme