Kamberi: Bota po dridhet për shkak të fuqisë së Kinës?

Botë | 6 muaj më parë

Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Geron Kamberi ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit se bota po dridhet për shkak të fuqisë së Kinës.

Kamberi tha se ajo që po i shqetëson shumë Perëndimin është fuqizimi ekonomik i Kinës, i cili lidhet ngushtë me elementë të tjerë të fuqisë shtetërore.

“Është ringritja e Kinës ose, më saktë, fuqizimi ekonomik i Kinës, i cili ka të bëjë pastaj edhe me disa elementë të tjerë të fuqisë. Në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare janë tre elementë që përcaktojnë fuqinë e një shteti për të luajtur rol në politikën ndërkombëtare: demografia, ekonomia dhe ushtria, plus gjeografia në momente të caktuara. Kur këto elementë bashkohen, pesha dhe roli i një vendi në marrëdhëniet ndërkombëtare bëhet i padiskutueshëm,” tha Kamberi.

Ai theksoi se në rastin e Kinës, dy elementët kryesorë – një popullsi shumë e madhe dhe një ekonomi e fuqishme – e bëjnë atë një faktor vendimtar në politikën botërore.

Duke iu referuar librit “Shekulli kinez” të gazetarit italian Federico Rampini (ish-korrespondent i “La Repubblica” në Pekin), Kamberi kujtoi se Kina ka shfrytëzuar në maksimum mundësitë historike që i janë dhënë, si anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë në 2001, vizita e Niksonit në 1972 dhe reformat e mëvonshme.

“Perëndimi po i afronte Kinës mundësi në kushte krejtësisht të tjera, në atë që u quajt ‘diplomacia trekëndore’ e Kissingerit. Tani jemi në momentin kur Perëndimi, Shtetet e Bashkuara por edhe Europa, kanë parë që Kina po rritet gradualisht. Siç thotë ajo shprehje, ajo është bërë ‘elefanti në dhomë’,” u shpreh eksperti.

Kamberi përmendi edhe thënien e Napoleon Bonapartit me të cilën hapet libri i Rampinit: “Kur Kina të zgjohet, bota do të dridhet”.

“Megjithatë, Kina investon jashtëzakonisht shumë në ushtri, sepse është e vetëdijshme për peshën dhe ndikimin që do të ketë në rajonin e Indo-Paqësorit. Në këtë rajon ka fuqi të tjera si India, Japonia, Australia etj., të cilat e shohin rritjen e Kinës pa ndonjë entuziazëm të madh,” shtoi ai.

Sipas Kamberit, sistemi aktual i marrëdhënieve ndërkombëtare i mbështetur te vlerat, të drejtat e njeriut dhe bashkëpunimi shumëpalësh po vihet në provë të rëndë për shkak të ndryshimeve gjeopolitike dhe efekteve të globalizmit, ku Kina ka dalë si fituesi më i madh.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme