Kamboxhia, 11 të vdekur nga zjarri në një kazino! Njerëzit hidhen nga ndërtesa për t’i shpëtuar flakëve

Të paktën 11 persona kanë humbur jetën nga një zjarr që përfshiu një kazino në Kamboxhia. Zjarri ra fillimisht në një restorant në katin e poshtëm dhe më pas flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë kazinonë dhe më pas të gjithë kompleksin e ndërtesës duke lënë shumë të plagosur.
Ekipet e shpëtimi thanë se flakët kishin pushtuar të gjithë ndërtesën duke e bërë thuajse të pamundur ndërhyrjen, ndërsa tymi i dendur mbuloi të gjithë zonën duke shkaktuar probleme tek të paktën 700 qytetarë që ndodheshin në ndërtesat aty pranë.
Shumë nga viktimat kanë vdekur për shkak të asfiksisë nga tymi, ndërsa një pjesë e madhe njerëzish u hodhën nga dritaret e kazinosë për t’u shpëtuar flakëve duke humbur jetën.
“Kur mbërritëm, nuk mundëm të hynim sepse zjarri kishte pushtuar tashmë shumicën e ndërtesave. Njerëzit po hidheshin nga ndërtesat e djegura. Dy persona vdiqën menjëherë kur goditën tokën dhe rreth katër deri në pesë të tjerë thyen këmbët,” thanë ekipet e shpëtimit.
Shkaku i zjarrit mbetet i paqartë, ndërsa pritet që numri i viktimave të rritet edhe më shumë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



