Kanada, temperaturat ekstreme shkaktojnë 486 viktima, situatë alarmante edhe në SHBA

Temperaturat ekstreme në Kanada, kanë shkaktuar deri më tani 486 viktima. Sipas mediave të huaja, temperaturat në disa qytete të vendit janë regjistruar deri në 49.6 gradë Celsius. Kjj është e pazakontë, për një vend që në pjesën më të madhe të vitit mbulohet nga akulli e dëbora.
Autoritetet shëndetësore thonë se më shumë se çereku i viktimave janë shënuar në qytetin Vankuver. Statistikat tregojnë se vdekjet janë shtuar me gati 200% krahasuar me kushtet normale. Nga krahu tjetër, i nxehti, ka shkaktuar qindra vatra zjarri.
Viktima, janë shënuar edhe në SHBA, pasi i nxehti ka mbërthyer rajonet që shtrihen përgjatë brigjeve të Paqësorit.
Në Shtetet federale të Uashingtonit dhe Oregonit, numërohen 79 viktima gjatë këtyre ditëve, kur janë shënuar edhe nivele historike temperaturash deri në 50 gradë Celsius. Edhe në Nju Jork, termometri ka shënuar këto ditë deri 41 gradë Celsius.
Me të nxehtin e pazakontë po përballen dhjetëra qytete të Siberisë, ku temperaturat kanë arritur deri në 40 gradë, shkruajnë mediat e huaja.
Simon Lewis, një profesor në University College London, paralajmëron se temperaturat ekstremisht të larta, tani janë shumë më të mundshme. Ai theksoi se në pjesë të caktuara të planetit, po krijohen zona ku është e pamundur të mbijetosh për shkak të temperaturës së lartë.
Kriza e klimës e ka sjellë verën me nxehtësi gjithnjë e më të rrezikshme. “Kanadaja është një paralajmërim: Gjithnjë e më shumë pjesë të botës së shpejti do të bëhen shumë të ngrohta për jetën” -tha Lewis.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




