Kanadaja propozon ndalimin e rrjeteve sociale për të miturit nën 16 vjeç

Botë | 5 muaj më parë

Kanadaja ka propozuar një ligj të ri që do të ndalonte përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 16 vjeç, duke ndjekur shembullin e Australisë, e cila miratoi një masë të ngjashme vitin e kaluar.

Ndryshe nga modeli australian, propozimi kanadez u jep kompanive të teknologjisë mundësinë të shmangin ndalimin nëse dëshmojnë se kanë masa efektive për mbrojtjen e të miturve dhe minimizimin e dëmeve në internet.

Projektligji përfshin gjithashtu rregulla të reja për chatbot-et me inteligjencë artificiale dhe kufizimin e përmbajtjeve të konsideruara të dëmshme. Ai parashikon krijimin e një organi rregullator që do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit nga kompanitë teknologjike.

Ministri kanadez i Kulturës, Marc Miller, deklaroi se siguria e fëmijëve në internet është një prioritet kombëtar, duke theksuar se qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e tyre.

Nisma vjen në një kohë kur shumë vende po forcojnë rregullat për sigurinë online të të rinjve. Mbretëria e Bashkuar, Franca, Zelanda e Re dhe Greqia po shqyrtojnë ose kanë miratuar masa të ngjashme për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale.

Nëse miratohet, ligji do t’u ndalojë personave nën 16 vjeç krijimin e llogarive të reja në platforma si Instagram, Facebook dhe TikTok, ndërsa llogaritë ekzistuese mund të çaktivizohen.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme