Kancelarja gjermane Merkel viziton Uashingtonin në korrik

Botë | 5 vite më parë

Presidenti amerikan Joe Biden, do të presë kancelaren gjermane Angela Merkel, në Uashington, më 15 korrik, në një vizitë që mund të jetë e fundit në detyrë në Shtetet e Bashkuara, pas gati 16 vitesh në krye të ekonomisë më të madhe të Evropës.

Njoftimi u bë të premten në ditën e parë të takimit të nivelit të lartë të G-7-ës në Britani. Zoti Biden ka pritur në Uashington dy udhëheqës të tjerë botërorë që kur mori detyrën, ata të Japonisë dhe Koresë së Jugut.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki, tha se zoti Biden dhe zonja Merkel “do të diskutojnë angazhimin e tyre për bashkëpunim të ngushtë në një sërë sfidash të përbashkëta, përfshirë luftën ndaj pandemisë së COVID-19, masat ndaj rrezikut të ndryshimit të klimës dhe nxitjen e mirëqenies ekonomike dhe sigurisë ndërkombëtare, bazuar në vlerat tona të përbashkëta demokratike. “

Një mospërputhje mbi përfundimin e gazsjellësit Nord Stream 2 prej 11 miliardë dollarësh që transporton gazin rus në Evropë ka acaruar marrëdhëniet në një kohë kur Berlini dhe Uashingtoni duan të rindërtojnë marrëdhëniet pas mandatit të ish-Presidentit amerikan, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara hoqën dorë nga sanksionet muajin e kaluar ndajkompanisë shtetërore ruse të energjisë Gazprom, duke i dhënë Berlinit dhe Uashingtonit tre muaj kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjen.

Kancelarja Merkel ka thënë se do të japë dorëheqjen pas zgjedhjeve kombëtare të shtatorit, pavarësisht nga rezultatet e partisë së saj Demokristiane.

Udhëtimi është planifikuar vetëm disa ditë pas një afati të 10 korrikut për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara për të zgjidhur një mosmarrëveshje gati 17-vjeçare mbi subvencionet e qeverisë për kompanitë Airbus dhe Boeing.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara janë optimistë për arritjen e një marrëveshjeje përpara se tarifat e pezulluara aktualisht të kthehen në fuqi më 11 korrik.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme