‘Karteli ballkanik’, kapen 11 tonë kokainë në brigjet spanjolle, arrestohen dhjetëra mafiozë shqiptarë

Aktualitet | 3 vite më parë

Njëmbëdhjetë ton kokainë të importuara nga organizata kriminale shqiptare janë sekuestruar në Spanjë në dy operacione të ndryshme. Kjo u bë e ditur të martën nga policia spanjolle, duke nënvizuar rëndësinë e mafias ballkanike në trafikun e drogës.

“Në një javë, ne kemi arritur të heqim 11 ton kokainë nga tregu”, tha në një konferencë për shtyp në Madrid, Antonio Martínez Duarte, kreu i Brigadës Qendrore të Njësisë për Drogën dhe Krimin e Organizuar të policisë spanjolle.

Droga e sekuestruar erdhi nga Kolumbia nëpërmjet Ekuadorit dhe u gjet në kontejnerë që kishin mbërritur në portet e Vigos, në Galicia dhe Valencia.

Kjo ishte sasia më e madhe e kapur ndonjëherë në Galicia, një rajon që ka shërbyer prej kohësh si një portë për në Evropë për kokainën nga Amerika Latine dhe që nxjerr në pah fuqinë e të ashtuquajturit ‘karteli ballkanik’.

Në operacionin e parë, policia në Vigo sekuestroi 7.5 ton kokainë të fshehur në fileto peshku të ngrirë. Operacioni i dytë, në Valencia, rezultoi në sekuestrimin e 3.4 ton kokainë të fshehur në fundet e dyfishta të kontejnerëve detarë.

Njëzet persona u arrestuan në këto dy operacione nga fundi i nëntorit deri në fillim të dhjetorit. Shumica ishin shqiptarë, por përfshinin edhe një kolumbian, një dominikan dhe disa spanjollë, duke përfshirë një sipërmarrës galician që përdorte biznesin e tij të importit të peshkut për të organizuar transportin e drogës.

“Të dy operacionet nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin. E vetmja lidhje mes tyre qëndron në faktin se ne besojmë se organizatat që qëndrojnë pas tyre janë me origjinë shqiptare”, tha Duarte, duke theksuar se mafiozët e Evropës Juglindore, me nofkën “Karteli ballkanik”, ishin në vëmendjen e madhe “të të gjitha forcave policore evropiane”.

“Mafia shqiptare ka disa kohë që ka monopolizuar transportin e drogës. Jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Latine. Këto organizata janë vendosur në vendin e origjinës (Amerika Latine) dhe kontrollojnë transportin e drogës nga fillimi në fund. “, shtoi ai.

Sipas komisionerit Carlos Gómez, kreu i Skuadrës Qendrore të Drogës, kontrolli i trafikut të kokainës në Evropë ka ndryshuar duart.

“Ne kemi kaluar nga organizata hermetike, të mbyllura, si organizatat e vjetra kolumbiane dhe meksikane që kontrollonin të gjithë procesin, në organizata shumë më të hapura, të ndërkombëtarizuara që shkojnë aq larg sa të krijojnë kooperativa kriminale për të ndarë burimet e trafikut”, shpjegoi ai. Euronews

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme