“Katar 2022”, shorti midis zhgënjimeve dhe pritshmërive

Botërori “Katar 2022”, që ka hedhur shortin të premten shortin e grupeve dhe, në grupin D, kampionia në fuqi e botës, Franca, do të ndeshet me Danimarkën, Tunizinë dhe fituesen e “play-off”-it midis Azisë, pra Australinë ose Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe Amerikës Latine, pra Perusë. “Nuk duhet të na rrëmbejë vetëkënaqësia pas shortit”, – ka deklaruar trajneri i Francës, Didier Deshomp, duke vijuar: “Mund të përmendim Danimarkën dhe se çfarë bëri ajo në Euro 2020, duke shkuar deri në gjysmëfinale dhe renditet e 11-ta në botë. Është një nga skuadrat më të mira evropiane.
Ne jemi kampionë të botës, por kjo ishte para 4 vitesh, por unë nuk ndjen trysni, ndjej vetëm kënaqësi. Sigurisht, statusi ynë si kampionë në fuqi rrit prishmëritë, por unë jam i qetë. Nuk ka trysni, vetëm adrenalinë dhe zbavitje që ta ofron vetëm Botërori”, – përfundoi trajneri francez. Në grupin C, Argjentina sfidohet nga Meksika, Polonia dhe Arabia Saudite dhe trajneri Lionel Skaloni është shprehur pozitiv, duke thënë: “Ne jemi mirë me këtë short dhe besojmë tek vetja. Ne nuk mund të ankohemi për shortin, por as mund të kënaqemi me të.
Meksika është një rivale që e njohim, Polonia kaloi Suedinë në “play-off” dhe Arabia Saudite pati një fushatë mjaft të mirë eliminatore. Është një grup i vështirë, por mund t’u them njerëzve të jenë të qetë dhe të shijojnë Botërorin, që unë shpresoj të mbyllet me Argjentinën në finale”, – përfundoi Skaloni. Në grupin G, që është padyshim grupi më i fortë, Brazili do të sfidohet nga dyshja evropiane, Zvicra dhe Serbia, por edhe nga një nga përfaqësueset më në zë të Afrikës, Kameruni.
“Nuk është grupi i vdekjes, por as grupi i jetës, – deklaroi trajneri i Brazilit, Tite. – Është njëlloj si grupi ynë në “Rusi 2018”, mungon vetëm Kosta Rika. Po flasim për Zvicrën dhe Serbinë, dy skuadrat që ndalën Italinë dhe Portugalinë, por edhe për Kamerunin, që është një skuadër e fortë e shkollës afrikane. Duhet ta ngremë nivelin e lojës sonë”, – përfundoi trajneri i “Selesao”-s. Holanda përballet në grupin A me Katarin, Senegalin dhe Ekuadorin dhe trajneri i portokallinjve, Luis van Ga’al, ka deklaruar se “këta janë kundërshtarë për të cilët nuk dimë asgjë.
“Të paktën unë nuk di dhe prandaj analistëve tanë u del shumë punë për të bërë deri atëherë, – ka vijuar ai. – Në 2014-ën ishim në grupin më të fortë, me kampionen në fuqi, Spanjën, Kili, që ishte e 3-ta në Amerikën Latine dhe skuadrën luftarake të Australisë. Krahasuar me atë, ky short është më i pranueshëm, edhe pse luajmë me kampionen e Afrikës.” Në grupin H, do të ndeshen me njëra-tjetrën Portugalia, Uruguaji, Koreja e Jugut dhe Gana dhe trajneri portugez, Fernando Santos, ishte filozofik në reflektimin e tij, duke thënë: “Është pak a shumë si çështja e gotës gjysmë të mbushur dhe gjysmë të zbrazur.
Nëse u referohemi Botërorëve të mëparshëm, Uruguaji është favorite. Nëse sheh renditjen e FIFA-s, Portugalia është favorite. Por nuk duhet të harrojmë Ganën dhe Korenë e Jugut, që kanë lojtarë të fortë. Trajneri portugez, Paulo Bento, ka bërë një punë shumë të mirë me përfaqësuesen e koreanojugorëve dhe unë kam shumë respekt për të”, – ka përfunduar trajneri i Portugalisë.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



