KE: “Pasaportat e arta” të qeverisë Rama i hapin dyert krimit të organizuar, shkelin ligjin e BE-së

Politikë | 4 vite më parë

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero-Hernandez, në një intervistë për Deutsche Welle ka komentuar mbi nismën e qeverisë për dhënien e shtetësisë shqiptare me koncension.

Skemat e shtetësisë për investitorët e huaj, Hernandez i sheh si rreziqe që përfshijnë infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta. Ajo thekson se KE i konsideron këto skema në shkelje të ligjit të BE.

Më tej zëdhënësja e KE ka komentuar dhe takimin e Ministrjave të Jashtëm të BE që do të mbahet më 31gusht lidhur me ngjarjet në Uzinën e Armëve në Gramsh. Ajo ka thënë se Shqipëria dhe BE kanë një partneritet të ngushtë sa i përket çështjeve të sigurisë.

Cilat janë dispozitat e legjislacionit të BE, me të cilat bie ndesh projekti i qeverisë së Tiranës, për dhënien e shtetësisë shqiptare të huajve, që mund të investojnë në Shqipëri, pra dhënien e të ashtuquajturave, ”pasaporta të arta”?

BE-ja respekton të drejtën e vendeve sovrane për të vendosur mbi mënyrën e dhënies së shtetësisë. Në të njëjtën kohë, konteksti aktual i agresionit rus kundër Ukrainës, nxjerr më tej në pah, rreziqet që  paraqesin skemat e shtetësisë për investitorët e huaj  dhe nevojën e hapave të menjëhershme. Këto janë programe që ofrojnë shtetësinë në këmbim të një pagese ose investimi të paracaktuar dhe pa një lidhje reale me vendin në fjalë.

Znj. Pisoreno-Hermandez, sapo përmendët rreziqet, por cilat janë ato nëse ky projekt megjithë paralajmërimet e KE, do të ecë drejt zbatimit?

Rreziqet përfshijnë infiltrimin e krimit të organizuar, pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta. Komisioni i konsideron këto skema në shkelje të ligjit të BE-së dhe ka nisur në vitin 2020 procedurat kundër shteteve anëtare që e kanë shkelur këtë ligj. Për shkak të perspektivës së shtetësisë së ardhshme të BE-së, kombësia e vendeve kandidate mund të bëhet gjithnjë e më tërheqëse për investitorët.

BE hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë në korrik të këtij viti, pikërisht me rishikimin analitik të legjislacionit shqiptar, me synimin / kërkesën shumëvjeçare që legjislacioni kombëtar të jetë në përputhje me atë të BE-së. Sipas strategjisë së re të zgjerimit të BE-së, procesi i anëtarësimit është i kthyeshëm nëse nuk ka progres në përmbushjen e kërkesave të këtij procesi. A përbën konflikti i këtij projekti me ligjin e BE një mundësi të tillë?

BE-ja po monitoron, në kuadrin e procesit të anëtarësimit në BE, çdo plan nga vendet kandidate për të futur skemat e shtetësisë. Aktualisht jemi duke përgatitur raportet e ardhshme vjetore të paketës së zgjerimit, që pritet të prezantohen në tetor.

Ministrat e Jashtëm të BE do të takohen këtë javë, të mërkurën, më 31 gusht në Pragë për të diskutuar arrestimin nga Policia e Shtetit të dy rusëve, një ukrainas dhe katër çekë që donin të fotografonin dy uzinat e armëve në Shqipëri, në Gramsh dhe në Poliçan. Të dyja këto incidente tregojnë që paralajmërimet e BE-së për rreziqet ndaj sigurisë kombëtare të Shqipërisë, në kuadrin e agresionit rus kundër Ukrainës, janë reale, të bazuara. Cilat janë pritshmëritë e BE-së nga ky takim? A do të jetë pjesë e agjendës së këtij takimi çështja e “Pasaportave të Artë” nga Shqipëria?

Po ndjekim njoftimet për incidentin në objektin ushtarak në Gramsh. Presim një hetim të plotë nga autoritetet përkatëse shqiptare, i cili tashmë ka nisur. Para së gjithash, dy ushtarëve shqiptarë të plagosur i urojmë shërim të shpejtë. Shqipëria dhe BE kanë një partneritet të ngushtë për çështjet e sigurisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme