Këlcyra investon në turizëm dhe infrastrukturë, Bashkia synon rritjen e vizitorëve përmes zhvillimit të biznesit lokal
Në prag të sezonit turistik, Bashkia e Këlcyrës ka ndërmarrë disa hapa konkretë për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e kapaciteteve pritëse për vizitorët.
Sipas nënkryetares së bashkisë, janë në zbatim një sërë projektesh që synojnë zhvillimin e zonës dhe promovimin e turizmit jo vetëm gjatë muajve të verës, por gjatë gjithë vitit.
Investimet janë fokusuar kryesisht në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sistemimin e hapësirave publike etj.
“Në nisje të këtij sezoni turistik, bashkia Këlcyrë, krahas përmirësimeve që po realizon në infrastrukturë dhe në fusha të tjera, ka ndërmarrë një nga projektet më të rëndësishme për qytetin: përmirësimin e ambienteve të sarajeve të Ali Bej Këlcyra.
Në kuadër të këtij projekti po krijohet një rrugë e re, e cila do të lehtësojë aksesin e vizitorëve drejt sarajeve. Gjithashtu, zona do të pajiset me ndriçim dhe me të gjitha rregullimet e nevojshme infrastrukturore, me synimin për ta kthyer këtë destinacion në një atraksion turistik dinjitoz dhe tërheqës për vizitorët vendas dhe të huaj”, tha ajo.
Paralelisht me investimet publike, bashkia po punon edhe për të nxitur zhvillimin e biznesit lokal.
Autoritetet vendore shprehen optimiste se këtë sezon turistik Këlcyra do të tërheqë më shumë vizitorë, falë natyrës, potencialit turistik dhe investimeve të ndërmarra në infrastrukturë dhe shërbime.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



