Këshilli i Sigurimit kërkon tërheqjen e trupave ruse nga Gjeorgjia

Shqipëria së bashku me Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Irlandën dhe Norvegjinë, i bënë thirrje Rusisë që të tërheqë forcat e saj ushtarake dhe të sigurisë nga territori i Gjeorgjisë pa vonesë.
Në një deklaratë në këndin mediatik të Këshillit të Sigurimit, Përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në OKB Ferit Hoxha kujtoi se “pushtimi rus i Gjeorgjisë në gusht 2008 shënoi një prirje më agresive në politikën e Rusisë në lidhje me vendet fqinje dhe arkitekturën evropiane të sigurisë.”
Deklarata dënon “provokimet e vazhdueshme të Rusisë, të cilat shkojnë paralelisht me luftën e paprovokuar dhe të pajustifikuar ruse kundër Ukrainës, praninë e vazhdueshme ushtarake dhe stërvitjet ushtarake në territorin e Gjeorgjisë, zgjerimin e të ashtuquajturit procesi i kufirit, ndalimet e paligjshme dhe rrëmbimet e popullatës lokale, pengimin e lirisë së lëvizjes dhe mbylljet e gjata të ashtuquajturave pika kalimi, diskriminimi ndaj gjeorgjianëve etnikë në rrethet Gali dhe Akhalgori si dhe ndalimi i arsimimit në gjuhën amtare të banorëve.”
Referuar vendimit të Dhomës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut më 21 janar 2021, ambasadori shqiptar tha se fakti që ”Rusia është në kontroll efektiv të rajoneve gjeorgjiane të Abkhazisë dhe rajonit Tskhinvalisë, Osetisë së Jugut, ajo është përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, duke përfshirë vrasjet e civilëve, torturimin e të burgosurve të luftës, trajtimin çnjerëzor dhe poshtërues, parandalimin e kthimit të gjeorgjianëve në shtëpitë e tyre dhe dështimin për të kryer hetime për shkeljet e të drejtave të njeriut”.
Deklarata e lexuar nga Hoxha i bën thirrje Federatës Ruse që “të zbatojë plotësisht detyrimin dhe angazhimet e saj në bazë të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga BE të 12 gushtit 2008 dhe të tërheqë forcat e saj ushtarake dhe të sigurisë nga territori i Gjeorgjisë pa vonesë”.
Nga ana e tij ambasadori rus Dmitry Polyansky tha se “në fakt, situata e grupeve kaukaziane është shumë e qëndrueshme, kështu që ne nuk kemi asnjë arsye për ta ngritur këtë çështje”.
Ai iu referuar tetë gushtit 2018, si një provokim i tmerrshëm i regjimit të Saakashvilit në Gjeorgji, që rezultoi në probleme të mëdha për këtë vend dhe në shfaqjen e dy republikave të pavarura.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




