Këshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen për legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore

Sociale | 5 vite më parë

Kryeministri Edi Rama publikoi të dielën pyetjen e gjashtë të formularit të Këshillimit Kombëtar, një nismë që synon marrjen e mendimit të qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.

Pyetja e 6-të e Këshillimit Kombëtar ka të bëjë me lejimin e kultivimit, përpunimit dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit mjekësor.

“Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa e legalizuar për arsye përdorimi vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore. Si mendoni ju?”, thuhet në pyetësor.

Në shpjegimin e pyetjes theksohet se, “kanabisi mjekësor, i cili është i ndryshëm nga kanabisi për përdorim vetjak, provohet gjerësisht nga shkenca se ka efekte kurative. Megjithatë, siç rezulton nga eksperienca e vendeve të ndryshme të rajonit, apo botës, shfrytëzimi i kontrolluar i kanabisit nga shteti ka impakt shumë pozitiv, jo vetëm në shëndetësi, por edhe në rritjen ekonomike dhe në luftën kundër shfrytëzimit të paligjshëm të kësaj bime”.

Alternativat e qytetarëve për t’u përgjigjur janë tre;

Shqipëria duhet të lejojë, kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit mjekësor;
Nuk kemi nevojë për këtë nismë;
Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje.

Kryeministri Edi Rama shprehet se “Për të ecur më shpejt e për t’u ngjitur lart, kemi nevojë të lëmë pas krahëve llogoret përçarëse të partive dhe të dëgjojmë më shumë njëri-tjetrin! Ju ftoj të gjithëve të jepni opinionin tuaj në këtë proces popullor që zhvillohet për herë të parë dhe është i hapur për çdo shqiptar, kudoqoftë jeton e banon, pavarësisht bindjeve e simpative politike, duke klikuar https://keshillimikombetar.al/ u shpreh kryeministri Rama.

Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme