Këshillimi Kombëtar, Rama publikon pyetjen për masat kundër evazionit fiskal të bizneseve të mëdha

Sociale | 5 vite më parë

Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të hënë, pyetjen e tetë të formularit të Këshillimit Kombëtar, një nismë që synon marrjen e mendimit të qytetarëve mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.

Pyetja e tetë e formularit ka të bëjë me ashpërsimin e gjobave dhe masat kundër evazionit fiskal të biznesit të madh.

“Ka njerëz që thonë se qeveria duhet të ashpërsojë gjobat dhe masat kundër evazionit fiskal të shoqërive të biznesit të madh. Të tjerë thonë se rregullat në fuqi janë të mjaftueshme nëse zbatohen si duhet. Si mendoni ju?”, është pyetja që shtrohet në formular.

Pyetja ka edhe një sqarim të çështjes ku thuhet se “sa më shumë të shmanget biznesi i madh nga detyrimet për të paguar taksa, aq më shumë pengohet rritja e investimeve të shtetit në infrastrukturë e shërbime publike, si edhe rritja e pagave e pensioneve. Duke ashpërsuar masat ndaj biznesit të madh, që kryen evazion fiskal, sigurohemi se ata që fitojnë më shumë e kanë më të vështirë t’u shmangen detyrimeve ndaj shtetit e shoqërisë”.

Qytetarët kanë tri mundësi për të kthyer përgjigje: Biznesi i madh duhet të ndëshkohet penalisht me dënime më të ashpra për evazion fiskal; Legjislacioni aktual është mjaftueshëm i ashpër për të luftuar fenomenin; Nuk di të gjykoj mbi këtë çështje.

Rama theksoi se “me falenderimin e madh për 23.456 bashkëqytetarët e bashkëqytetaret, kudo ndodhen, që janë përfshirë deri tani në Këshillimin Kombëtar, duke e plotësuar pyetësorin online, ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij kuvendimi popullor për çështje me rëndësi strategjike për Shtëpinë tonë Shqipërinë”.

Kush dëshiron mund të marrë pjesë duke klikuar në https://keshillimikombetar.al/”.

Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme