Kevin Magnusen rikthehet tek skuadra e Haas

Kevin Magnusen ka nënshkruar një kontratë shumëvjeçare, duke bërë kështu një kthim të bujshëm në Formula 1 me skuadrën e “Haas”-it këtë sezon, pas vendimit të kësaj skuadre për të ndërprerë bashkëpunimin me Nikita Mazepinin pak para nisjes së kampionatit. Pasi kishte pilotuar në Formula 1 për “MekLaren”-in në sezonet 2014 dhe 2015, dhe për “Renault” në 2016-ën, Magnusen pilotoi për “Haas”-in që nga 2017-ta e deri në largimin e tij nga ky kampionat në fund të sezonit të 2020-ës.
Piloti danez u zhvendos më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të garuar atje në disa gara sportive dhe pritej t’i bashkohej skuadrës së “Peugeot” në Botërorin e Rezistencës në 2022. Por 29-vjeçari do të bëjë një rikthim të papritur në Formula 1, për t’u rreshtuar përkrah pilotit të ri, Mik Shumaker, në këtë sezon të ri, pas vendimit të skuadrës së “Haas”-it, që u bë i ditur të shtunën e shkuar, për të prishur menjëherë kontratën me Mazepinin.
“Jam i lumtur që të mirëpres Kevin Magnusen sërish në skuadrën tonë”, deklaroi kreu i “Haas”-it, Gynter Shtainer. “Kur po kërkonim për një pilot që mund t’i shtojë vlerë skuadrës sonë, pa përmendur këtu edhe përvojën e pasur në Formula 1, Kevini ishte zgjedhja me e përshtatshme për ne”, – shtoi ai. Vetë piloti ka deklaruar: “Isha padyshim i shtangur, por po aq edhe i ngazëllyer që të merrja një telefonatë nga skuadra e “Haas”-it.
Natyrisht që po shqyrtoja mundësi të tjera për karrierën time në 2022-shin, por mundësia për t’u rikthyer dhe për të garuar sërish në Formula 1 me një skuadër që e njoh shumë mirë, ishte thjesht e parezistueshme”, – ka përfunduar danezi.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




