Kievi goditet nga dronë kamikazë të prodhuar në Iran

Forcat ruse sulmuan rajonet e Kievit dhe të Odesës në Ukrainë, me dronë të prodhuar nga Irani, si dhe përdorën raketa për të goditur zona të tjera. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarë ukrainas.
Një sulm i kryer pranë Makariv, një qytet i vogël që ndodhet 50 kilometra në perëndim të Kievit, shkatërroi infrastrukturën kritike të qytetit.
Në të gjithë rajonin e kryeqytetit, banorët, jeta e të cilëve kishte rifilluar normalitetin kur lufta u zhvendos në lindje muaj më pare, u zgjuan përsëri nga sirenat e sulmit ajror.
Rusia intensifikoi bombardimet e saj ndaj zonave civile javët e fundit, pasi ushtria e saj humbi terren në rajone të shumta të okupuara të Ukrainës, që presidenti Vladimir Putin i pretendoi ilegalisht si “territor rus”. Mbështetësit e Putinit i kërkuan atij që të përshkallëzojë fushatën pas sulmit në urën e Krimesë.
Nuk është e qartë nëse dronët e mbushur me eksploziv shkaktuan ndonjë viktimë. Zyrtarët ukrainas thanë se dhjetëra njerëz vdiqën këtë javë, pasi ushtria ruse rriti shtrirjen e sulmeve të saj.
Zyrtarët ukrainas thanë sot se iranianë, në territoret e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, po stërvitnin rusët se si të përdorin sistemet Shahed-136, të cilat mund të kryejnë sulme ajrore në tokë, luftë elektronike dhe shënjestrim. Vendosja e tyre mund të tregojë se ushtrisë ruse po i mbarojnë dronët e saj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




