Kina do të rifillojë lëshimin e vizave për turistët e huaj

Kina do të rifillojë lëshimin e vizave për turistët e huaj, për të parën herë që nga shpërthimi i pandemisë së covid 19 tre vite më parë.
Lehtësimi i kufizimeve erdhi pasi Pekini shpalli fitore ndaj virusit dhe tërheqjen nga strategjia me zero covid që ka dëmtuar ekonominë e tij.
Aplikimet për viza do të jenë të hapura duke filluar nga data 15 mars.
Ndërkohë, që grupet e turistëve nga Hong Kongu dhe Makau do të lejohen të lëvizin pa viza në krahinat kineze.
Heqja e kufizimeve ndërkufitare të vendosura për të luftuar covidin shënon një hap të madh para drejt rikthimit në jetën normale. Dhjetra milionë vizitorë ndërkombëtarë hynin në Kinë çdo vit para pandemisë, ndërkohë që industria turistike e atij vendi është goditur rëndë nga masat e rrepta antikovid. Por tashmë, në vend pritet të shënohet një rritje e ndjeshme e mbërritjeve ndërkombëtare.
Edhe shtetasit kineze do të lejohen të udhëtojnë me grupe turistike drejt 60 vendeve, nga 20 që ishte më parë.
Autoritetet kineze dhonë se prodhimi i brendshëm bruto u rrit vetëm me 3 përqind në 2022, shifra më e ulët kjo e shënuar në gjysëm shekulli. Për vitin aktual, Pekini ka përcaktuar një objekt prej 5 përqind, ndërsa kryeministr i ri Li Qiang është shprehur se ekonomia e dytë më e madhe e botës po stabilizohet dhe po e merr veten. Politika me zero covid që u hoq dhjetorin e shkuar, shkaktoi protesta ndaj liderit kinez Shi Xhinping. Që atëherë ai ka çimentuar pushtetin e tij në partinë komuniste dhe ka siguruar një mandate të tretë rekord si president i vendit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




