Kina paralajmëron Lituaninë pas hapjes së zyrës së Tajvanit: Do të paguajë për gabimet e saj

Kina ka paralajmëruar Lituaninë për pasojat pas hapjes së zyrës përfaqësuese të Tajvanit në këtë vend baltik.
Në një konferencë për media në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha se hapja e zyrës përfaqësuese të Tajvanit në Lituani është ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.
“Hapja e të ashtuquajturës zyrë përfaqësuese e Tajvanit në Lituani është jashtëzakonisht skandaloze, është ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të Kinës. Prisni dhe shikoni se çfarë masash do të ndërmarrë Kina. Lituania do të paguajë për gabimet e veta”, tha Lijian.
Tajvani, të cilin Kina e konsideron provincë të saj të shkëputur, dje hapi zyrën e saj përfaqësuese në Lituani, zyrë e cila ‘de fakto’ konsiderohet një ambasadë.
“Hapja e bekuar do të hartojë një kurs të ri dhe premtues për marrëdhëniet dypalëshe midis Tajvanit dhe Lituanisë”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Tajvanit.
Kombi ishull, i cili ka pohuar pavarësinë e tij që nga viti 1949, tha se marrëdhëniet dypalëshe me Lituaninë kanë “potencial të madh për bashkëpunim në industri të ndryshme”.
Ndërkohë, siç raportojnë mediat lokale, Zyra e Çështjeve të Tajvanit në Këshillin Shtetëror të Kinës u bëri thirrje “disa vendeve t’i përmbahen parimit ‘një Kinë’ dhe të mos shkojnë më tej në rrugën e gabuar të mbështetjes së forcave secesioniste në ishullin Tajvan”.
Në muajin gusht, Pekini kërkoi nga ambasadori i Lituanisë të kthehej në shtëpi dhe e tërhoqi ambasadorin kinez nga Lituania pasi vendi evropian vendosi të këmbejë zyrat diplomatike me Tajvanin./AA
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




