Kina vendos të tërheqë ambasadorin në Lituani

Kina ka vendosur të tërheqë ambasadorin e vet në Lituani dhe ka kërkuar nga qeveria lituaneze të tërheqë ambasadorin e saj në Kinë, tha të martën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, njofton Radio e Jashtme e Kinës.
Kohët e fundit qeveria lituaneze, duke shpërfillur shprehjet e përsëritura të pakënaqësisë nga ana e Kinës dhe paralajmërimin për pasojat e mundshme, ka njoftuar vendimin për të lejuar autoritetet e Tajvanit të hapin një “zyrë përfaqësimi” me emrin “Tajvan”, tha zëdhënësi.
Vendimi i qeverisë lituaneze shkel rëndë frymën e komunikatës për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Lituanisë dhe minon rëndë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, vuri në dukje ai.
“Qeveria kineze shpreh kundërshtimin e saj kategorik ndaj kësaj lëvizjeje. Kina ka vendosur të tërheqë ambasadorin e saj në Lituani dhe ka kërkuar nga qeveria lituaneze të tërheqë ambasadorin e saj në Kinë,” bëri të ditur zëdhënësi.
Pala kineze e paralajmëron palën lituaneze se në botë ekziston vetëm një Kinë dhe Republika Popullore e Kinës është qeveria e vetme e ligjshme që përfaqëson të gjithë Kinën. Parimi i “Një Kine” është një normë e njohur gjerësisht e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe konsensusi i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare. Ai është themeli politik i zhvillimit nga Kina të marrëdhënieve dypalëshe me vendet e tjera.
“Qeveria dhe populli kinez kanë vendosmëri të palëkundur për të arritur ribashkimin e vendit. Vija e kuqe e mbrojtjes së sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial nuk do të kalohet,” tha zëdhënësi. Më tej ai shtoi: “Ne i bëjmë thirrje palës lituaneze ta ndreqë menjëherë vendimin e saj të gabuar, të marrë masa konkrete për ta zhbërë dëmin dhe të mos ecë më tej në rrugën e gabuar. Ne gjithashtu i paralajmërojmë autoritetet tajvaneze se ‘pavarësia e Tajvanit’ është një rrugë pa krye dhe çdo përpjekje për veprimtari separatiste në arenën ndërkombëtare do të dështojë”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




